Sport

Arsenali pëson humbjen e parë pas shtatë ndeshjeve në Premier League

Foto: AP
 

Wolvesi e ka fituar përballjen ndaj Arsenalit, duke e përmbysur rezultatin. Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma në kuadër të xhiros së 22-të të Premier Leagues, përfundoi 2:1 në të mirë të Wolvesit. Tërë pjesën e dytë Arsenali e luajti pa David Luizin që u ndëshkua me karton të kuq në kohën shtesë të pjesës së parë, duke shkaktuar penallti. Kurse në minutën e 73-të me të kuq u largua edhe portieri Bernd Leno që preku topin me dorë jashtë zonës.

Për skuadrën e trajnerit Mikel Arteta, ishte disfata e parë pas një serie prej shtatë ndeshjeve kampionale pa humbje. Arsenali kaloi në epërsi me golin e bukur të Nicolas Pepes në minutën e 32-të. Vendasit e barazuan rezultatin në kohën shtesë të pjesës së parë me golin e Ruben Nevesit që shënoi nga penalltia. Tri pikë shumë të rëndësishme, me një gol të bukur nga distanca, Wolvesit ia siguroi Joao Moutinho, që realizoi në minutën e 49-të. Tek Arsenali titullar ishte Granit Xhaka, i cili në minutën e 62-të u ndëshkua me karton të verdhë. Arsenali humbjen e fundit kampionale e kishte pësuar nga Evertoni më 19 dhjetor. Me 26 pikë, Wolvesi, që shënoi fitoren e parë në ligë pas tetë takimeve, renditet në vendin e 13-të. Ndërkaq Arsenali është i 10-ti me 31 pikë.