Sport

Ish-kampionia premton kthimin në Superligë, por jo këtë edicion

Sikurse skuadrat e tjera të futbollit në Kosovë, edhe Trepça i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror. “Xehetarët” po stërviten në fushën me bari sintetik në Mitrovicë, kurse fazën e fundit planifikojnë ta kryejnë në Maqedoninë e Veriut.

Trepça nga Mitrovica, që bën gara në Ligën e Parë, Grupi A, ende nuk është e gatshme që të rikthehet në Superligë.

Kampionia e Kosovës në vitin 2010 synon që këtë vit të mbetet pjesë e Ligës së Parë, kurse në edicionin tjetër e synon Superligën.

Një pengesë e madhe në rrugën drejt realizimit të synimeve është pamundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Adem Jashari”, që aktualisht është në rinovim.

Kryetari i klubit, Nexhmedin Haxhiu, që është rikthyer në krye të Trepçës, pohon për KOHËN se Liga e Parë është objektiv për këtë vit. Ai premton rikthim të fuqishëm nga edicioni tjetër.

“Këtë vit e kemi qëllimin që të përgatisim ekipin sa më mirë. Synimet janë që të mbetemi në Ligën e Parë. Po shpresoj që nuk është problem pasi ekipi është shumë i mirë, djemtë po punojnë shumë. Prej sezonit të ardhshëm do të kthehemi fuqishëm”, tha Haxhiu.

Haxhiu thekson se mungesa e stadiumit është bërë problem i madh në vitet e fundit për Trepçën.

“Jemi bërë si refugjatë. Qe sa kohë po luajmë herë atje, herë këtu. U bënë pesë vjet. Kjo është pengesë e madhe. Shyqyr që janë bërë këto fushat sintetike, por edhe kjo fushë nuk është e jona, duhet me terminë dhe nuk mund të stërvitesh kur t’i do, por prapë mirë”, u shpreh Haxhiu.

Trepçën në stinorin pranveror do ta drejtojnë dyshja e pandashme, trajneri Emin Baliqi me ndihmësin e tij, Shpëtim Fetahu.

Baliqi e ka të qartë se këtë vit nuk mund të arrihet Superliga. Ai flet edhe për mungesën e stadiumit.

“Jemi larg me pikë, edhe për shkak të fondit, të stadiumit, janë kushte të vështira për Trepçën momentalisht. Në këtë fushë këtu i zhvillojmë edhe ndeshjet. Jemi dakorduar që këtë vit të mbesim në Ligën e Parë, kurse në vitin tjetër shpresojmë që të rregullohet stadiumi dhe të investojmë për tu inkuadruar në Superligë.”, deklaroi Baliqi.

I pari i shtabit teknik të ekipit mitrovicas, që e ka fituar titullin me Trepçën si lojtar, e ka një synim të madh me “xehetarët” si trajner.

“Si ish-kampion mendoj që në të ardhmen ta forcojmë Trepçën, kjo është ëndërr e të gjithëve, është ëndërr e qytetit që Trepça të jetë aty ku duhet, në Superligë dhe të synojmë, pse jo, ta shpallim edhe kampion. Sigurisht si lojtar dhe si trajner do të doja të hyja në histori”, tha Baliqi.

Deri më tani mitrovicasit e kanë transferuar futbollistin me përvojë, Diar Mustafa. Ai thotë se faza përgatitore po shkon mirë dhe beson që do t’ia dalin që t’i arrijnë synimet e klubit.

“Po ndihem shumë mirë, përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë, me kryetrajnerin Emin Baliqi, me Shpëtim Fetahun dhe me kryetarin Nexhmedin Haxhiun. Objektivi kryesor është mbijetesa në Ligën e Parë, pastaj një organizim më i mirë për të siguruar Superligën”, deklaroi Mustafa.

Kapiteni Liridon Voca dhe futbollisti Samir Sahiti i kanë të qarta synimet e klubit. Ata besojnë se mund t’ia dalin.

“Synimi ynë është të mbesim në mes të tabelës, poshtë nuk e kemi ndërmend të jemi. Kemi edhe lojtarë me përvojë, si Samir Sahiti, Enis Zabërgja e Fetah Ibrahimi dhe me ardhjen e trajnerit Emin Baliqi, besoj që do të jemi sa më lartë”, u shpreh Voca.

Futbollisti Samir Sahiti theksoi se Trepça ka mbetur prapa në renditje, por do të luftojnë derisa ua lejon matematika. Sipas tij, Superligën do ta synojnë në sezonin tjetër.

“Duhet të jemi realistë, sepse jemi pak prapa për inkuadrim në Superligë. Do të bëjmë përpjekje që sa të na lejon matematika të luftojë për atë gjë. Por primare e kemi që me dy-tri përforcime në sezonin tjetër ta kthejmë Trepçën në Superligë”, tha Sahiti.

Pengesë në punën e tyre, Voca, Mustafa dhe Sahiti e shohin edhe stadiumin, të cilin nuk mund ta shfrytëzojnë. Ndeshjet Trepça do t’i luajë në fushën me bari sintetik, në afërsi të stadiumit të madh.

Herën e fundit kur Trepça luajti në Superligë ishte sezoni 2016/2017, duke përfunduar në pozitën e 11-të. Në stinorin vjeshtor Trepça u rendit në vendin e shtatë me 15 pikë.

Së bashku me Prishtinën vlerësohet prej skuadrave me traditën më të pasur. Por tradita në vitet e fundit nuk ka mjaftuar për të luajtur në elitë dhe për të pasur suksese.