Sport

16 vjeçe në Superligë, në Zvicër po rriten edhe hendbolliste për Kosovën

Lorena Nikolla ishte njëra prej lojtareve të përfshira në skuadrën e Kreuzlingenit për ndeshjen e së shtunës ndaj LK Zug. Ndeshjen e fitoi Zugi me rezultatin 26:19, por përfshirja e Nikollës te skuadra HSC Kreuzlingen vlerësohet një fitore e vogël për përfaqësueset e Kosovës në hendboll.

Lorena Nikolla është vetëm 16-vjeçare dhe ka shtetësi të Kosovës. Është e lindur në Zvicër dhe po vlerësohet lart te skuadra e elitës helvetike, Kreuzlingen. Natyrisht me përfshirjen në ekipin e të rriturave ajo pritet të jetë kandidate edhe për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Jo shumë lojtare me rrënjë nga Kosova bëjnë karrierë në nivele superiore në vendet evropiane. Numri i lojtareve me pasaportë të Kosovës në skuadra elitare të Evropës është edhe më i vogël.

Lorena nuk fitoi minuta, por në Federatën e Hendbollit të Kosovës po marrin shënime. Rritja e konkurrencës në përfaqësuese vlerësohet e domosdoshme në prag të kualifikimeve të ardhshme, që janë në muajin mars.

“Ka katër vjet që luaj hendboll. Jam e lindur në Zvicër, por jam nga Kosova. Kam edhe pasaportë të Kosovës. Prej fillimit të karrierës jam pjesë e skuadrës HSC Kreuzlingen. Kosova është vendi im dhe unë dua të luaj për Kosovën. Dua të mësoj gjëra të reja dhe shpresoj të luaj për përfaqësuese”, ka thënë Lorena Nikolla të dielën për KOHËN.

Zvicra jep shumë sportistë për përfaqësuese të Kosovës, falë numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend. Ka plot futbollistë të rritur në Zvicër që janë te Kosova. Edhe xhudistja e Kosovës, Loriana Kuka, është e rritur në Zvicër dhe ka lënë këtë vend për të bërë karrierë në Kosovë.

Në hendboll, kapiteni Valon Dedaj, Luigj Quni, Haris Berisha e Drenit Tahirukaj luajnë për Kosovën dhe bëjnë karrierë në skuadrat zvicerane. Së shpejti pritet të debutojë te Kosova portierja Kristina Ukaj, ndërsa Pashke Marku ka luajtur në të kaluarën për përfaqësuese dhe ka gjasa të kthehet. Ndërkohë, Lorena Nikolla është emër i ri.

“Unë ushtroj me ekipin U-18 të Kreuzlingenit dhe katër herë në javë ushtroj me ekipin e parë. Për herë të katërt jam ftuar për ndeshje të Superligës, por ende nuk jam aktivizuar. Kam luajtur vetëm në miqësore. Besoj se pas një kohe do të filloj të luaj nga pak në Superligë”, ka thënë Nikolla, që ka vazhduar edhe për dy vjet kontratën me Kreuzlingenin.

Ajo luan në pozitën e bekut të majtë, por edhe të bekut të djathtë. Shquhet për goditje, por thotë se edhe në mbrojtje është e dalluar. Hendbolli i femrave në Zvicër po rritet me hapa të shpejtë.

“Nëse më thërrasin, jam e gatshme të luaj për Kosovën. Kosovën e kam përcjellë gjithnjë. Te Kosova luajnë Valon Dedaj, Drenit Tahirukaj e Haris Berisha, që janë në klubin tonë. Mendoj se edhe unë mund të luaj për Kosovën, ushtroj çdo ditë dhe jam e përgatitur”, ka shtuar Lorena Nikolla. Ajo thotë se ka vendosur për karrierë në hendboll pasi ka vlerësuar se ka talent. Thotë se i pëlqen shumë loja e hendbollit.

Te Kreuzlingeni ndihmëstrajner është kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj. Ndërkohë, Pashke Marku është prej lojtareve kryesore. Lorena është e lumtur që ka në skuadër Valonin e Pashken.

Kreuzlingeni do të garojë për titull me tri skuadra të tjera, ndonëse nuk vlerësohet me shumë gjasa.

“Është lojtare e talentuar dhe mendoj se do të ishte e vlefshme për Kosovën. Kontratën ia kemi vazhduar edhe për dy vjet, që do të thotë se presim shumë prej saj”, ka thënë Valon Dedaj.

Hendbolliste të reja po zhvillohen edhe në Danimarkë, Norvegji, Suedi e Gjermani. Kosova në mars luan ndaj Austrisë dhe Italisë në kualifikimet për Botëror. Synimi është avancimi në fazën tjetër, ndërsa për këtë kërkohet fitore ndaj Italisë. Austria vlerësohet nivel më i lartë.