Sport

Pas 20 vjetësh karrierë si lojtar, Babaj nis punën e trajnerit

Descriptive Text

Shpëtim Babaj ka bërë plot 20 vjet karrierë si futbollist. Mburret me të kaluarën e tij brenda vijave të fushës së futbollit, ndërsa nuk ka dyshim që edhe jashtë saj do ta përcjellin sukseset. Ai ditë më parë ka nisur punën si trajner te të rinjtë, përkatësisht ekipi U19 i skuadrës së njohur nga Norvegjia, Lillestrom.

Babaj 39-vjeçar thotë se përvoja e fituar nga trajnerë të ndryshëm gjatë dy dekadave karrierë si futbollist do ta ndihmojë shumë për të pasur sukses edhe në zejen e trajnerit.

“Mendimin për t’u bërë trajner e kam pasur qysh si i ri, në moshën 18 apo 19-vjeçare, kur e kam operuar gjurin. Pa dyshim që përvoja e fituar si futbollist profesionist për 20 vjet do të më ndihmojë shumë, pasi kam ndërruar shumë trajnerë dhe kam luajtur në shtatë shtete të ndryshme”, ka thënë Babaj të enjten për KOHËN.

Babaj ka marrë Licencën A të trajnerit, ndërsa është në pritje të pajisjes me licencën “UEFA Pro Licence”

“Kam menduar gjithmonë të merrem me këtë zeje, prandaj edhe i kam vazhduar kurset për trajner ku më ka mbetur vetëm edhe ‘UEFA Pro’”, thotë ai.

Babaj ka theksuar se ka pasur mundësi të nisë punën te ndonjë klub tjetër, klube, siç thotë ai, që i ka refuzuar. Megjithatë, Babaj nuk mundi ta refuzonte edhe ofertën e Lillestromit.

“Është një ekip i vlerësuar, por unë qëkur kam ardhur në Norvegji jam bashkë me Haziz Aasenin. Përveçqë është një njeri i mirë, ai vlerësohet shumë në Norvegji. Mua dhe Hazizit na u janë afruar edhe disa klube të tjera, por nuk i kemi pranuar derisa na erdhi oferta e Lillestromit, të cilën vendosëm ta pranonim. Me Hazizin kemi pasur një grup të fëmijëve që i kemi stërvitur, kurse me një shok tjetër, Avni Aziri, kemi një firmë ndërtimi qe katër vjet, ku kemi disa punëtorë e po ashtu punojmë edhe vetë”, tha ai.

Babaj karrierën si futbollist profesionist e ka nisur në vitin 2000 te skuadra e Sllovenisë, Rudar Velenje. Në Slloveni luajti edhe për Smartnon, derisa në Kosovë u kthye në vitin 2003. Ai ka luajtur për skuadrën e Besianës e pastaj edhe për Besën. Ka luajtur edhe për Elbasanin, Zorya Luhanskun e Ukrainës, Shakhterin e Kazakistanit, Gramozin, Tiranën, Trepçën, Trepçën ’89, Hajvalinë dhe së fundi në vitin 2017 te Ferizaj. Babaj thotë se puna te Lillestromi është vetëm fillimi. Ai beson se do të jetë trajner i ndonjë skuadre edhe më të madhe.

“Ky është fillimi im. E kam nisur me djem të rinj dhe është e rëndësishme që të marr përvojën e duhur, por pa dyshim që pretendoj për më lart, përndryshe nuk do ta filloja këtë punë, pasi janë dy botë të ndryshme ajo e futbollistit dhe trajnerit”, ka theksuar ish-mesfushori nga Mitrovica.

Babaj insiston se ka vullnet të madh për punë.

“Do të mundohem dhe do të punoj të kem suksese, sepse do ta jap maksimumin për të bërë më të mirën, por futbolli është i çuditshëm, edhe pse unë jam shumë optimist. Mendoj se disiplina është në radhë të parë, këtë do ta kërkoj nga lojtarët. Edhe në fushë kam qenë person që kam dashur që gjërat të shkojnë perfekt dhe këtë do ta kërkoj edhe si trajner. E rëndësishme është që kam vullnet të punoj shumë për të arritur suksese”, ka thënë Babaj.

Image