Sport

Zeka synon shkëlqimin tek Austria e Vjenës, për ta fituar rastin të ftohet nga Shqipëria

Sulmuesi kosovar, Agim Zeka, është vlerësuar lart nga drejtuesit e skuadrës së Austrisë së Vjenës, që garon në Bundesligën austriake.

Zeka të mërkurën është prezantuar te skuadra e Austrisë së Vjenës, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Austrisë së Vjenës, Peter Stoger, ka thënë se 22-vjeçari është lojtar perspektiv dhe i duhet shumë skuadrës në këto momente të vështira që po kalon klubi shkaku i lëndimeve të shumta. Zeka tek Austria e Vjenës është transferuar si lojtar i lirë. Ish-sulmuesi i U-21 të Shqipërisë, së fundi, ishte pjesë e skuadrës nga Belgjika, Royal Mouscron.

“Ne kemi sjellë një lojtar të ri që në të kaluarën ka luajtur për ekipin U-21 të Shqipërisë. Ai na forcon dhe është një alternativë tjetër për trajnerin tonë. Kohët e fundit kemi humbur disa lojtarë në përgatitje për shkak të lëndimeve dhe kemi reaguar mirë brenda mundësive tona financiare”, ka thënë Soger për faqen zyrtare të klubit.

Zeka në të kaluarën ka luajtur edhe për të rinjtë e Prishtinës, pastaj ka vazhduar karrierën në ekipin e parë të Skënderbeut të Korçës, prej ku edhe u transferua tek ajo skuadra franceze Lille B. Ai nga Franca u huazua te skuadrat nga Portugalia, Varzim dhe Leixoes, pastaj edhe te Fortuna Sittard e Holandës. Iu bashkua edhe ekipit belg Mouscron.

Përveç U-21 të Shqipërisë, Zeka ka luajtur edhe për gjeneratat e tjera të shtetit shqiptar. Mirëpo, ai synon që nëpërmjet paraqitjeve të mira tek Austria e Vjenës ta fitojë rastin të ftohet nga përfaqësuesja “A” e Shqipërisë. Ai ka insistuar se ky edhe është synimi i tij. Zeka ka thënë se kalimi te skuadra elitare e Austrisë është hap para në karrierë.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e skuadrës elitare të Austrisë, Austria Vjena. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, por do ta shohim me kohë. Synimet e mia përputhen me ato të klubin. Bashkë do të mundohemi që në fund të këtij edicioni të jemi sa më lart, aty ku edhe e ka vendin. Besoj shumë se do ta kem rastin tim dhe atë ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë. Unë shpresoj se do ta kem hapësirën e duhur për t’i treguar vlerat e mia”, ka thënë Zeka për KOHËN.

Zeka thotë se shpejt do të nisë punën me ekipin e ri, tek i cili do të kërkojë një vend titullari.

“Dita e parë ka qenë e mirë, në klub jam pritur shumë mirë dhe pres që një pritje të tillë ta kem edhe nga bashkëlojtarët e rinj. Jam i gatshëm për këtë sfidë”, ka deklaruar Zeka.

Zeka paraqitjen e fundit e ka me ekipin B të skuadrës franceze, Lille. Ishte ndeshja e datës 7 mars të vitit të kaluar, ndërsa për Royal Excel Mouscron nuk ka luajtur asnjë ndeshje.

Sulmuesi Zeka me U-21 e Shqipërisë i ka luajtur dhjetë ndeshje prej vitit 2017. Nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa tre gola në tri paraqitje i ka për ekipin U-19. Një gol të shënuar edhe për ekipin U-17, me të cilin ka pasur tri ndeshje. Megjithatë, synimet e sulmuesit nga Prishtina janë që në të ardhmen të luajë edhe për ekipin “A” të Shqipërisë.

“Ka qenë një periudhë e mirë e kaluar te Shqipëria. Jam munduar në çdo ndeshje ta jap kontributin tim me angazhim maksimal. Çdo ndeshje me Shqipërinë ka qenë për mua emocion i veçantë. E kam bartur me krenari të madhe fanellën e Shqipërisë dhe nëpërmjet paraqitjeve tek Austria shpresoj të marr ftesë edhe për ekipin e parë”, ka theksuar Zeka.

Austria e Vjenës, pas 12 xhirove të luajtura në Bundesligën austriake, zë vendin e dhjetë në tabelë me 11 pikë, katër më shumë se skuadra e Rapidit që renditet e fundit.