Sport

Superliga mbushet me basketbolliste të huaja, premtohet garë interesante për titull

Basketbollistet amerikane Andraque Quinnie e Allison Johnson do ta ndihmojnë skuadrën e Trepçës në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës, që nis vikendin e ardhshëm. KBF Trepça e ka shfrytëzuar afatin kalimtar të dimrit për të regjistruar amerikanet. Në fakt është hera e parë që lojtare amerikane do të jenë pjesë e ekipit nga Mitrovica.

Dyshja Quinnie-Johnson pritet të jetë e rëndësishme për Trepçën, e cila pjesën vjeshtore e ka mbyllur në pozitën e parafundit me 14 pikë, sa i ka edhe Kastrioti që është i fundit. Në dhjetë ndeshje të luajtura, Trepça ka regjistruar vetëm një fitore karshi nëntë humbjeve dhe trajneri Kemajl Muja beson se angazhimi i amerikaneve do të jetë i frytshëm duke sjellë rezultate pozitive. Në të vërtetë edhe synimet e skuadrës mitrovicase janë rritur dukshëm. Te Trepça tashmë ia kanë vënë syrin pozitës së katërt që i siguron pjesëmarrjen në plejof dhe pastaj nëse jepet mundësia, do ta kërkojnë edhe titullin e kampionit.

“Është hera e parë te Trepça që janë angazhuar dy basketbolliste amerikane. Njëra tashmë i është bashkuar ekipit, kurse tjetra gjatë javës së ardhshme. Besojmë fuqishëm se me angazhimin e tyre në ekipin tonë do të ngrihet dukshëm cilësia dhe do të vijnë rezultatet pozitive. Jemi optimistë për pjesën pranverore”, është shprehur Muja për KOHËN.

“Gjithashtu mund të them se Superliga e femrave do të jetë më e fortë dhe më interesante se ajo e meshkujve për shkak të lojtareve të huaja. E them këtë për shkak se të gjitha ekipet janë me të huaja dhe për herë të parë basketbolli i femrave do të ketë cilësi pothuajse në të gjitha ndeshjet”.

Muja thotë se është fat i keq që ndeshjet do të duhej të zhvillohen pa praninë e shikuesve në tribuna për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas tij, palestrat do të ishin mbushur me tifozë nëpër ndeshjet e femrave sikur të mos ishte situata me COVID-19.

Nuk është vetëm Trepça që në afatin kalimtar të dimrit, i cili u mbyll të premten, ka paraqitur lojtare të huaja. Në fakt, të gjitha ekipet e Superligës së femrave, me përjashtim të Vëllaznimit, kanë paraqitur për të regjistruar basketbolliste të huaja. Kështu që në stinorin pranveror të gjitha tetë ekipet elitare do të kenë nga dy lojtare të huaja, përfshirë këtu edhe Vëllaznimin që ka në radhët e veta amerikane prej fillimit të këtij edicioni.

Kjo është hera e parë në basketbollin e femrave të Kosovës që të gjitha ekipet kanë në radhët e veta lojtare të huaja, te të cilat do të mbështeten për sukses.

Krahas Trepçës nga dy lojtare të huaja i kanë paraqitur edhe Prishtina, Penza derisa Bashkimi e Kastrioti kanë reaguar vetëm me nga një. Prishtina ka regjistruar qendrën Daniel Dajah dhe fundoren Alexis Tolefree derisa Penza ka sjellë Simone Cooperin dhe Ashlie Howellin. Bashkimi ka marrë qendrën nga Mali i Zi, Teodora Shariq, kurse në fillim të këtij sezoni pati angazhuar fundoren Lejzae Davidson. Edhe Kastrioti është forcuar me qendrën Andrea Iavarone, kurse pjesë e ekipit që nga fillimi i sezonit aktual është plejmejkerja Alexander Amani.

Fakti që të gjitha ekipet kanë të huaja ka gëzuar sekretaren e përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, dikur basketbolliste shumë e suksesshme. Sipas saj, kjo vetëm do të kontribuojë në ngritjen e cilësisë në basketbollin e femrave, ku kryesisht vitet e fundit ishin vetëm dy skuadra konkurrente për titullin e kampionit.

“Superliga e femrave në stinorin pranveror do të jetë shumë më interesante, pasi të gjitha klubet kanë angazhuar lojtare të huaja, apo edhe janë përforcuar me lojtare vendore. Sigurisht se te kjo ka ndikuar edhe rritja e fondit të shpërblimeve, vendim ky që është marrë së fundi nga Bordi i FBK-së dhe kështu janë rritur apetitet tek ekipet e femrave. Po besoj se për herë të parë pas më shumë se dhjetë vjetëve do të kemi një konkurrencë më të madhe ndërmjet dy ekipeve në elitën e basketbollit femëror, që neve si FBK na gëzon shumë”, është shprehur Dushku.

Së fundit, FBK ka marrë vendim që ekipit kampion t’i takojë shpërblimi prej gjashtë mijë eurosh, nënkampionit katër mijë euro dhe dy gjysmëfinalistëve nga një mijë euro. Deri më tani vetëm ekipi kampion është shpërblyer.

“Por në anën tjetër, kjo nuk do të thotë se duhet të ndalojmë të punojmë me vajza të reja, përkundrazi kjo duhet t’i motivojë klubet edhe më shumë që të punojnë jo vetëm me vajza të reja, por të punojnë edhe në aspektin organizativ të tyre, duke ndërtuar skuadër organizative dhe duke ofruar sa më shumë njerëz në organizim. Federata e Basketbollit të Kosovës në Planin Strategjik 2021-2025 ndër pesë objektivat e saj e ka si objektiv të veçantë ‘Femrat në basketboll’ andaj ne do të vazhdojmë të punojmë në ngritjen e numrit të trajnereve, refereve, administratoreve nëpër klubet tona. Do të punohet edhe në masivizim e çfarë është më e rëndësishmja në ngritjen e cilësisë në basketbollin femëror”, shtoi Dushku.

Amerikanet e para i ka regjistruar Bashkimi i Prizrenit që aktualisht është kampion vjeshtor dhe ka fituar Superkupën e Kosovës. Në janar të vitit 2018, Bashkimi pati regjistruar amerikanet Khadija Haywood-Brown dhe Anastasia Williams, të cilat ndihmuan klubin nga Prizreni të kthejë titullin e kampionit pas një pritjeje prej shtatë vjetësh. Kryetari i Bashkimit, Rrahman Përteshi, ndihet krenar që pas tre vjetësh, të gjitha ekipet në radhët e veta kanë angazhuar lojtare të huaja, kryesisht amerikane.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur duke pasur parasysh se Bashkim ishte ekipi i parë që në basketbollin e femrave në Kosovë regjistroi amerikane. Në fakt vitet e fundit ishim vetëm ne dhe Prishtina që e kemi mbajtur fondin në këtë aspekt dhe tani karvanit tonë i janë bashkuar edhe skuadrat tjera, gjë që është shumë mirë për basketbollin e femrave”, është shprehur Përteshi. “Besoj se stinori vjeshtor do të jetë shumë interesant dhe lojtaret e huaja do të jenë motivim për lojtaret e reja dhe do të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë”.

Ekipet e femrave deri para fillimit të garave të plejofit mund të ndërrojnë basketbollistet e huaja, e një gjë të tillë do ta bëjë Bashkimi që ka angazhuar përkohësisht malaziasen Shariq për ta zëvendësuar nigerianin Aisha Balarabe që do të grumbullohet te Përfaqësuesja e Nigerisë për një kamp stërvitor në prag të Lojërave Olimpike.