Sport

Asistimi i Paqaradës në minutën e fundit ia dha fitoren St. Paulit

Leart Paqarada ka dhënë asistim në fundin e ndeshjes dhe skuadra e tij fitoi vetëm në kohën shtesë.

St. Pauli, ku luan mbrojtësi i majtë i Kosovës, fitoi në fund me rezultatin 3:2 në udhëtimin e vështirë te Hannoveri, në ndeshjen e xhiros së 16-të në Bundesliga 2.

Paqarada asistoi në minutën e 92-të për Igor Matanoviqin. Ishte asistimi i parë në Bundesliga 2 këtë sezon për Paqaradën, ndërsa një tjetër e ka në Kupën e Gjermanisë. Ai luajti për 90 minuta kundër Hannoverit.

Për Hannoverin nga minuta e 33-të luajti Florent Muslija, reprezentuesi i Kosovës, që e zëvendësoi sulmuesin tjetër kosovar, Valmir Sulejmanin.

St. Pauli i Paqaradës është në vendin e parafundit, të 17-n. Pas 16 ndeshjeve të luajtura ka 13 pikë.

Ndërkohë, Hannoveri është në vendin e gjashtë me 23 pikë pas 16 ballafaqimeve.