Sport

Dardan Berisha mbetet te Peja dhe synon titullin

Një fotografi e postuar nga KB Peja në Facebook të martën mbrëma iu dha fund dilemave për të ardhmen e kapitenit të Kosovës, Dardan Berisha. Mbi fotografinë ku shihej Berisha duke stërvitur shkruante se ai tashmë është rikuperuar nga lëndimi dhe i është bashkuar klubit në stërvitje. Ndërsa gjithashtu paralajmërohej se Berisha do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës së Pejës që e luan në shtëpi këtë fundjavë kundër Sigal Prishtinës në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës.

“Kapiteni i ekipit, Dardan Berisha, është rikthyer në stërvitjet e klubit dhe me gjasë do të jetë i gatshëm që të përfshihet në skuadër që nga ndeshja radhës”, thuhej në njoftimin e Pejës.

E një gjë të tillë e ka pranuar edhe Berisha, i cili të mërkurën ka thënë për KOHËN se është i gatshëm ta ndihmojë Pejën deri në fund të këtij sezoni. Berisha pranon se ishte kontaktuar nga disa skuadra brenda, por edhe jashtë Kosovës. Mirëpo në fund ka vendosur t’i mbetet besnik Pejës dhe ta respektojë kontratën e tij deri në fund të këtij sezoni. Me largimin e Drilon Hajrizit, i cili në fillim të këtij muaji iu bashkua Trepçës, Berisha krahas përgjegjësisë për të qenë bartës i lojës te Peja do të jetë edhe kapiten i ekipit.

Berisha i ka munguar Pejës në pesë ndeshjet e fundit dhe gjatë kësaj periudhe u ngritën shumë dilema për të ardhmen e tij. Ai u lëndua në ndeshjen e xhiros së nëntë kundër Rahovecit, duel të cilin e humbi Peja. Pa Berishën në përbërje, Peja në pesë ndeshjet e fundit ka regjistruar tri humbje dhe dy fitore.

“Kam munguar në disa ndeshje dhe ndoshta edhe largimi i Drilon Hajrizit nga klubi bëri që të flitet për largimin tim. Kam pasur kontakte me disa klube në Kosovë, por edhe jashtë kufijve, gjë që më interesonte edhe më shumë. Por në fund pas bisedave dhe premtimeve se Peja do të jetë një ekip i fortë kam vendosur të mbetem këtu. Në fakt unë edhe kam kontratë me Pejën deri në fund të sezonit dhe me padurim po e pres kthimin në parket”, është shprehur Berisha. “Kam nisur me stërvitje gradualisht dhe po besoj se do të jem i gatshëm për ndeshjen e radhës. Po ashtu, ekipit do t’i bashkohet edhe trajneri i ri dhe pres që të tregohemi të suksesshëm në këtë sezon”.

Berisha gjithashtu insiston se nuk ka dashur të largohej nga Peja pa e përmbushur premtimin e tij. Ai para një viti, kur u kthye te Peja, kishte thënë se po kthehet për titullin e kampionit, por sezoni 2019/20 u anulua në fund të muajit mars për shkak të përhapjes së pandemisë, pa u shpallur kampioni. Megjithatë, sezonin e shkuar Berisha arriti ta fitonte një trofe me Pejën, atë të Kupës së Kosovës, kurse këtë sezon ai synon titullin edhe pse pranon se nuk do të jetë lehtë.

“Natyrisht që kam qëndruar edhe për ta kthyer titullin, synim që e kisha edicionin e shkuar. Edhe pse ishim në rrugë të mbarë, gjithçka u stopua për shkak të pandemisë. Ndërsa tani besoj se mund ta arrij këtë synim edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se skuadrat janë përforcuar në përgjithësi”, është shprehur Berisha. “Ndoshta kupën do të jetë më vështirë, por titullin e dua me Pejën dhe besoj që në fund do t’i gëzohemi së bashku këtij trofeu. Përfundimisht, pjesa e dytë e këtij edicioni do të jetë shumë interesante dhe me ndeshje të forta”.

Skuadra e Pejës për herën e fundit e ka fituar titullin e kampionit në vitin 2013, kur pjesë e ekipit ishte Berisha, që u kthye vitin e shkuar pas më shumë se shtatë vjetësh.

Berisha ka pranuar se te Peja ka pasur ndërrime të shumta të lojtarëve dhe trajnerëve, por beson se me ardhjen e trajnerit të ri do të bëhet një ekip kompakt në çdo aspekt për ta synuar titullin e kampionit. Peja të mërkurën njoftoi se ka angazhuar njërin prej trajnerëve më të mirë në Maqedoninë e Veriut, Jordançe Davidkov. Davidkov në këtë post ka zëvendësuar turkun Shemsettin Bash, që u largua të martën dhe pas dy ndeshjeve në krye të Pejës. Ai do të jetë trajneri i tretë te Peja këtë edicion pasi ekipi garat i filloi me kroatin Edi Xhelalija. Davidkov ka qenë përzgjedhës i Maqedonisë së Veriut dhe e pati kualifikuar në Kampionatin Evropian të vitit 2003. Ai gjithashtu ka drejtuar edhe Përfaqësuesen e Kuvajtit deri në nivel klubesh, ka fituar katër tituj kampioni dhe po aq kupa të Maqedonisë së Veriut me Rabotniçkin.

“Kemi pasur shumë lëvizje të trajnerëve dhe lojtarëve, por jam i bindur se do të stabilizohemi dhe do komponohemi si ekip për të sfiduar të gjithë trofetë”, është shprehur Berisha.

Berisha këtë edicion në nëntë paraqitje te Peja ka luajtur me një mesatare prej 20 pikëve, 5.7 kërcimeve dhe 4.3 asistimeve për ndeshje. Ai beson se shumë shpejt do të kthehet në formën e tij më të mirë për ta udhëhequr ekipin drejt sukseseve këtë edicion.

“Po punoj që të arrij sa më shpejt formën time, gjë që është shumë e rëndësishme”, shtoi Berisha.

Skuadra e Pejës në 14 ndeshje të zhvilluara deri më tani ka regjistruar nëntë fitore karshi pesë humbjeve dhe zë vendin e tretë në tabelë me 23 pikë të mbledhura. Klasifikimit i prin skuadra e Rahovecit me 25 pikë, e përcjellë nga Ponte Prizreni me një pikë më pak.