4 perditesime
15:45

Kuka fiton të bronztën në Mastersin e Dohas

Loriana Kuka e ka fituar medaljen e bronztë në Mastersin e xhudos që po mbahet në Doha të Katarit.

Kuka në luftë për medalje të bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë e mposhti me Ippon pas 5:25 minuta luftë britaniken Natalie Powell.

Për Kosovën është medalja e katërt në Mastersin në Doha. Fitoi të artën Distria Krasniqi, ndërsa të bronzta dolën Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Akil Gjakova përfundoi i shtati.

12:08

Kuka mposht kubanen Antomarchi, do të luftojë për të bronztën

Loriana Kuka e ka mposhtur me ippon kubanen Kaliema Antomarchi, duke marshuar kështu në drejtim të medaljes së bronztë në Mastersin e xhudos që po mbahet në Doha.

Kuka fitoi në duelin e repesazhit të kategorisë deri 78 kilogramë me ippon pas 2:18 minutave luftë.

Në luftë për medaljen e bronztë do të përballet me britaniken Natalie Powell.

11:21

Kuka mposhtet në çerekfinale

Loriana Kuka është mposhtur në çerekfinale të Mastersit të xhudos që po mbahet në Doha të Katarit.

Kuka pësoi në çerekfinale të kategorisë deri 78 kilogramë nga ish-kampionia e botës, japonezja Shori Hamada, me ippon pas 5:39 minutave luftë. Deri në momentin e ipponit, japonezja Hamada kishte dy dënime dhe Kuka një dënim.

Kuka do të kërkojë medaljen e bronztë nëpërmjet repesazhit.

09:58

Kuka mposht nënkampionen olimpike, arrin në çerekfinale të Mastersit

Loriana Kuka ka arritur në çerekfinale të Mastersit të xhudos që po mbahet në Doha të Katarit.

Kuka në raundin e dytë në kategorinë deri 78 kilogramë, e mposhti pas shtatë minutave luftë, nënkampionen olimpike të Rio 2016, francezen Audrey Tcheumeo. Tcheumeo mori tri dënime, që rezultoi me fitore të Kukës.

Kuka në raundin e parë e mposhti Sarah-Myriam Mazouzin e Gabonit. Në çerekfinale do të përballet me japonezen Shori Hamada, ish-kampione e botës.

09:30

Kuka kalon pengesën e parë në Masters

Loriana Kuka ka kaluar pengesën e parë në Mastersin e xhudos që po mbahet në Doha të Katarit. Kuka, që garon në kategorinë deri 78 kilogramë, në raundin e parë e mposhti me ippon Sarah-Myriam Mazouzin e Gabonit pas 2:56 minuta luftë.

Në raundin e dytë Kuka do të përballet me francezen Audrey Tcheumeo, medalisten e argjendtë të Lojërave Olimpike “Rio 2016” dhe të bronztë të “Londra 2012”.

Kosova derimë tash nga Mastersi në Katar ka fituar tri medalje. Distria Krasniqi doli e artë në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa medalje të bronztë fitoi Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Nora Gjakova në atë deri 57 kilogramë. Dje Akil Gjakova, në kategorinë deri 73 kilogramë, doli i shtati.