Një kuti e vjetër me autografe në dyqanin zyrtar të Zuerichut ka një fotografi të Blerim Xhemailit. Aty shihet fytyra rinore e Xhemailit para se të largohej nga skuadra zvicerane drejt Anglisë për ta ndjekur ëndrrën si futbollist i ri.
Pas 13 vjetësh, Xhemaili është kthyer te Zuerichu dhe tani ka mjekër dhe flokë pak të thinjura. Gati ka mbushur 34 vjet, por synimet me klubin e qytetit të Zuerichut i ka të mëdha. Pas nëntë klubeve të ndryshme, ku bëri karrierë pas largimit nga Zuerichu, Xhemaili dëshiron t’u kthehet sukseseve aty ku i la si kapiten i ekipit. Kthimi i Xhemailit ua kujton tifozëve të Zuerichut kur bënin tifo për ekipin më të mirë në Zvicër. Në vitin 2005, ai fitoi Kupën, kurse në vitet 2006 dhe 2007, titullin e kampionit të Zvicrës. Ishte lider i Zuerichut, në krah barte shiritin e kapitenit.
“Te Zuerichu ndihem si në shtëpi. Të jetoj sërish këtu pas 13 vjet e gjysmë do të thotë shumë për mua. Përfundimisht më kanë munguar të gjithë ata që i kisha përreth kur isha në Zuerich. Tani, Zuerichu dallon prej atij ekipi, por ndihem i lumtur që jam kthyer pasi kam synime të mëdha”, insiston Xhemaili. “Pas shkëputjes së kontratës në Kinë, e kisha të qartë se dua të kthehem në shtëpi, te Zuerichu. Nuk doja edhe një vit të luaja diku jashtë për shkak se kthimi te Zuerichu për të ndërtuar diçka për të ardhmen time më tërhiqte më shumë”.
Pas largimit nga Zuerichu, Xhemaili e vazhdoi karrierën te Boltoni (Angli), Torino, Parma, Napoli, Genoa, Bologna (Itali), Galatasaray (Turqi), Montreal Impact (Kanada) dhe Shenzhen (Kinë). Në total, Xhemaili ka fituar nëntë trofe në karrierën e tij, përfshirë edhe ata tre me Zuerichun dhe këtë sezon po e kërkon të dhjetin. Ai ka fituar edhe katër trofe me Galatasarayn - një titull, një kupë e dy Superkupa – dhe dy Kupa të Italisë me fanellën e Napolit.
“Kam fituar nëntë trofe në karrierë dhe ta fitoja trofeun e dhjetë me Zuerichun do të ishte një përfundim shumë i mirë. Mirëpo për momentin nuk dua t’i bëjë presion vetes. Thjesht ekipi ka potencial për të shkuar deri në fund dhe do të shohim”, u shpreh Xhemaili. “Ajo që kam arritur jashtë nuk do të ndryshojë aspak angazhimin tim te Zuerichu. Sigurisht që pritjet janë të mëdha, por unë jam i lumtur që jam këtu. Sigurisht, shumë kanë thënë që rrezikoj diçka duke u kthyer në FCZ, por nuk e shoh në atë mënyrë. Unë e shoh si një mundësi për të qenë në gjendje t'i kthej diçka FC Zuerichut. Falë këtij ekipi, unë isha në gjendje të kisha një karrierë të shkëlqyer”.
Ai insiston se nuk dëshiron ta fitojë respektin te bashkëlojtarët për shkak të karrierës, por për shkak të angazhimit dhe paraqitjeve në fushë. Xhemaili ka thënë se po punon shumë në këtë drejtim dhe se gjithashtu dëshiron t’u ndihmojë lojtarëve të rinj të ekipit që mund ta kenë një karrierë fantastike jashtë futbollit zviceran. Xhemaili thotë se ende nuk është plotësisht i gatshëm për lojë, por beson se brenda një kohe të shkurtër do të arrijë formën që e kishte dikur.
“Unë nuk kam luajtur për një vit të tërë dhe nuk jam stërvitur me ekipin për katër muaj. Isha në gjendje të luaj të shtunën në miqësoren kundër Luzernit dhe sigurisht që jam mbrapa me stërvitje, por besoj se shumë shpejt do të arrij nivelin tim të lojës”, u shpreh mesfushori që insiston se aventura e tij në Kinë nuk ishte e dështuar edhe pse nuk e luajti asnjë ndeshje. “Nuk munda të udhëtoj për një kohë të gjatë në Kinë për shkak të koronavirusit. Pastaj trajneri që më transferoi u shkarkua dhe klubi më tha se duhet të largohem. Kjo edhe është arsyeja e shkëputjes së kontratës në Kinë”.
Xhemaili thotë se në të ardhmen e sheh veten në një rol tjetër te Zuerichu, ndonëse ende nuk e ka një datë të saktë se kur do të tërhiqet nga futbolli aktiv.
“Kam nënshkruar një kontratë me Zuerichun për 1,5 vjet. Për sa kohë argëtohem, do të luaj. Pas kësaj, unë e shoh veten më pak si trajner dhe më shumë në fushën e menaxhimit. Edhe pse nuk kam kontratë për një funksion tjetër, unë gjithashtu mund të imagjinoj një rol në klub. Zuerichu e di se çfarë ka në mua dhe unë e di se çfarë kam në Zuerich”, përfundoi Xhemaili. \ Luzern Zeitung
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.