Trajneri i përkohshëm i Borussia Dortmundit, Edin Terziq, të enjten e ka mbrojtur yllin e mbrojtjes së skuadrës, Mats Hummelsin, pasi ai e kritikoi ish-trajnerin Lucien Favre në një intervistë.
Favre u shkarkua në muajin e kaluar pasi Dortmundi u mposht 5:1 në shtëpi nga Stuttgarti.
Terziqi ka thënë se Hummelsi ka qenë lider dhe gjëja më e rëndësishme është se ai e ka përfshirë edhe veten në ato kritika, duke e përdorur fjalën “ne”.
“E rëndësishme është të thuhet se Mats është lideri. Jo vetëm para kamerës, por edhe në fushë, në ndeshje e në stërvitje. Ai ka punuar në këtë rol për afër një dekadë dhe jo vetëm në klubin tonë, por edhe te Gjermania dhe Bayern Munichu. Ai e ka të drejtën për të kërkuar më shumë nga klubi dhe të jetë shembull për të gjithë në të njëjtën kohë”, ka thënë Terziq në një konferencë për shtyp para ndeshjes së të shtunës në Bundesligë, në udhëtim te Leipzigu.