Sport

Dallimi që bëjnë dy amerikane: klubi që mendonte largimin nga garat tani kërkon titullin

Trajneri Pal Syla kishte një dilemë të madhe para fillimit të edicionit 2020/21 në Superligën e Kosovës në basketboll, në konkurrencë të femrave. Ai e dinte se nëse do ta paraqiste ekipin e tij, Vëllaznimi, për të garuar në elitë, do ta kishte të pamundur që me fondin e lojtareve që e kishte në dispozicion, të siguronte mbetjen në Superligës edhe për edicionin tjetër. Syla mendoj që të tërhiqej tërësisht nga garat, pra mos ta lajmëronte ekipin për të garuar. Por atij i vinte keq për lojtaret e reja të skuadrës gjakovare.

Për disa ditë Syla e sfidoi veten me këtë dilemë, përpara se të mendonte të transferonte dy lojtare të huaja. Por një gjë e tillë dukej e pamundur për mungesë fondesh.

Gjendja ndryshoi pas një bisede që Pal Syla kishte me familjarë jashtë vendit. Ata i premtuan përkrahje për të mbuluar shpenzimet për dy basketbolliste të huaja. Familjarët e ish-basketbollistit garantuan se do të mbulojnë shpenzimet e dy lojtareve të huaja për tërë edicion.

Dhe situata ndryshoi tërësisht. Klubi që mendonte largimin nga garat u bë forcë në Superligë. Dallimin e bënë dhe vazhdojnë ta bëjnë dy amerikanet. Ato nuk janë shumë të shtrenjta, por Vëllaznimi tani është i varur tërësisht prej tyre.

“Duke e ditur se do të duhej të luftonim për mbijetesë dhe mund të rrezikonim rënien nga Superliga, vendosa që ekipi mos të garonte fare. Duhej ose të tërhiqeshim, ose të binim në një rang më të ulët dhe kështu në diskutim e sipër me familjarët që i kam jashtë, ata premtuan se do ta përkrahnin idenë time për transferimin e dy të huajave”, pranon Syla në një bisedë për KOHËN. “Familjarët garantuan heqjen e shpenzimeve për ato dhe pas disa kontakteve arrita të siguroja dy amerikanet. Të gjitha shpenzimet duke filluar nga biletat, akomodimi dhe ushqimi po i bartin familjarët e mi”.

Vëllaznimi pak para fillimit të sezonit transferoi dy amerikane, organizatoren e lojës Raven Northcross-Baker dhe qendrën Sarah Mgbeike. Falë amerikaneve, skuadra e Vëllaznimit po kalon formën më të mirë ndonjëherë. Amerikanet menjëherë morën përgjegjësinë dhe udhëhoqën Vëllaznimin drejt rezultateve pozitive në pjesën vjeshtore.

“Falë amerikaneve jemi në pozitën e dytë edhe pse qëllimi ishte të siguronim mbijetesën”, tha Syla.

Me një bilanc prej tetë fitoreve e dy humbjeve, Vëllaznimi është nënkampion vjeshte me 18 pikë të mbledhura, një më pak se Bashkimi që është i pari. Ndikimi i amerikaneve te ekipi gjakovar është më se i dukshëm. Prej 804 pikëve të shënuara në total nga Vëllaznimi, Northcross-Baker dhe Mgbeike kanë shënuar 512 pikë.

“Ne kemi ardhur këtu për të bërë punën tonë, pra për të luajtur. Dhe kjo është krejt ajo që po bëjmë. Duam ta ndihmojmë ekipin të ketë një sezon të mirë dhe deri më tani mendoj se ia kemi dalë”, tha Northcross-Baker, që ka mesatare prej 32,4 pikëve, tetë kërcimeve dhe 4,6 asistimeve për ndeshje.

Edhe pse Vëllaznimi ndeshjen e fundit të këtij viti e ka luajtur më 13 dhjetor, amerikanet nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre për festa. Ato po qëndrojnë në Gjakovë dhe po vazhdojnë stërvitjet për t’u komponuar sa më mirë dhe për të qenë maksimalisht të përgatitura për pjesën pranverore.

“Është paksa vështirë të jem larg familjes për festa, por gjërat po na i lehtësojnë bashkëlojtaret dhe njerëzit e qytetit të Gjakovës që na kanë pritur shumë mirë”, shton Mgbeike, që në pjesën vjeshtore ka luajtur me mesatare prej 24,4 pikëve, 20,8 kërcimeve dhe 5,3 asistimeve për ndeshje.

Northcross-Baker shtoi: “Ne po vazhdojmë të stërvitemi dhe me padurim po e presim fillimin e pjesës së dytë të këtij edicioni. Duam të jemi të gatshme në çdo aspekt”.

Për dy amerikanet, ky është sezoni i parë si basketbolliste profesioniste. Para ardhjes në Gjakovë kanë bërë karrierë në NCAA, ligën e kolegjeve amerikane. Atyre u është dhënë një banesë për të jetuar në Gjakovë derisa tashmë janë adaptuar me të gjitha gjërat, përfshirë edhe me ushqimin.

“Është pak a shumë ashtu siç e kam pritur. Unë për disa vjet kam jetuar në Nigeri. Te Vëllaznimi gjërat po shkojnë shumë mirë dhe jemi të kënaqura që po mund ta ndihmojmë klubin. Kemi takuar shumë njerëz të mirë”, thotë Mgbeike, që tashmë ka mësuar disa fjalë shqip.

Edhe niveli i basketbollit te femrat është i mirë, vlerësojnë Northcross-Baker dhe Mgbeike. Ato po përshtaten gradualisht.

“Niveli është i mirë”, thotë Northcross-Baker, derisa Mgbeike pajtohet me mendimin e saj, ndonëse pranon se ka luajtur në nivel edhe më të lartë.

Trajneri Syla po shpreson që amerikanet të vazhdojnë me paraqitje të njëjta edhe në stinorin pranveror. Ai thotë se janë basketbollistet e para të huaja në historinë e Vëllaznimit, i cili tradicionalisht ka luftuar për mbijetesë. Me amerikanet në përbërje, Syla thotë se ekipi tashmë ka reflektuar dhe e ka ngritur nivelin në çdo aspekt.

“Është hera e parë që jemi pretenduese për titull pasi Vëllaznimi gjithmonë ka luajtur për mbijetesë në elitën e femrave. Janë amerikanet e para në ekipin tonë dhe ndihem shumë krenar për shkak se edhe vajzat e tjera janë motivuar dhe po punojnë shumë”, shtoi Syla duke zbuluar se prej ardhjes së amerikaneve Vëllaznimi për herë të parë po stërvit nga dy herë në ditë.

“Është një qasje krejtësisht tjetër dhe kemi krijuar një mentalitet fituesi. Në fakt ne synonim mbijetesën por me kalimin e ndeshjeve u rritën apetitet tona dhe tani synojmë të kemi sukses. Motivi është i madh”.

Amerikania Mgbeike beson se Vëllaznimi është në gjendje të rrëmbejë trofe këtë edicion. Ajo bazohet në dy fitoret që Vëllaznimi i arriti ndaj Prishtinës. Humbjet e vetme i ka nga Bashkimi.

“Kam ndjenjën se jemi në gjendje të fitojmë diçka”, tha Mgbeike.

Image