Sport

Cristiano, portieri brazilian i Shqipërisë që ka mbetur i “ngujuar” në Kosovë

Portieri brazilian Cristiano cardoso da Silva erdhi në fillim të vitit në Kosovë që të luajë për skuadrën e futsallit, Prishtina 01, në pjesën e dytë të edicionit 2019/20. Transferimi i tij te skuadra prishtinase doli të jetë i qëlluar.

Prishtina 01 me brazilian në portë triumfoi në Kupë të Kosovës. Mbetet trofeu i vetëm deri tani për brazilianin me Prishtina 01.

Cristiano nuk e kishte planifikuar të qëndrojë më gjatë në Kosovë, por rrethanat me koronavirus ia imponuan një gjë të tillë. Aktualisht është braziliani i vetëm në futsallin kosovar. COVID-19 e la në Kosovë që nga muaji mars. E përfundoi kampionatin, por nuk arriti ta fitojë atë.

Me rritjen e ambicieve të kryeqytetasve për ta fituar kampionatin, në planet e ekipit ishte edhe braziliani Cristiano. Atij i është vazhduar kontrata edhe për një vit tjetër. Për këtë u nda shumë i kënaqur portieri brazilian. Por ai nuk e kishte menduar më herët se do ta kalonte një vit të tërë pa e vizituar fare familjen e shoqërinë. Familja e tij jeton në Brazil, derisa shoqëri ka në vendin e lindjes, por edhe në Evropë. Kjo për shkak se ka pasur karrierë në disa klube.

Tentoi të largohej nga Kosova kur nuk kishte angazhime, por nuk ia arriti një gjëje të tillë. Së fundmi u nis për në Republikën e Çekisë, ku bëri karrierë, por sërish u kthye. Shkak ishte pandemia.

“Kam planifikuar një udhëtim por nuk arrita ta bëj për shkak të pandemisë. Më mungon shumë familja në Brazil, prindërit, shoqëria”, ka thënë Da Silva për KOHËN. “Provova të shkoja edhe në Republikën e Çekisë dhe në Hungari më thanë se nuk mund të kaloj tutje për shkak të pandemisë. Ishte e rëndë për mua. U desh të kthehesha dhe jam këtu tani”.

Krisin, siç e thërrasin në Kosovë, e pranon situatën. Kosovën e vlerëson shtëpi të dytë.

“Sidoqoftë është në rregull pasi unë këtu ndihem si në shtëpi dhe mund të qëndroj pa problem. Jam i lumtur. Edhe këtu kam shoqëri të mirë, kështu që është në rregull”, theksoi 31-vjeçari Cristiano cardoso da Silva.

Në përgjithësi, brazilianët njihen si lojtarë të futbollit, të cilët janë më shumë të koncentruar në fazën sulmuese. Portierët brazilian nuk është se përmenden shumë. Transferimi i portierëve nga Brazili madje nuk është shumë i zakonshëm. Por Cristiano vlerësohet njëri prej më të mirëve në Kosovë sa u takon portierëve të futsallit (futbollit të sallës).

Ai nuk e nisi karrierën si gardian.

“Kam nisur të luajë futsall që prej moshës 11-vjeçare. Është interesante, sepse kam nisur si lojtar. Por gjithmonë afër portës, isha mbrojtës”, kujton Cristiano.

“Në shkollë, një ditë, na mungonte portieri dhe ne kishim dëshirë të luanim. Duhej të luanim. I thashë trajnerit tim: Mund ta bëj unë atë gjë sot, unë mund të hyj në portë dhe më pas t’i mund të kërkosh portier. Ai ishte i pajtimit që unë të hyja në portë. E dashuroja shumë atë pozitë dhe që atëherë deri më tani jam në portë. Nuk më kujtohet shumë ajo lojë, por po, kam pranuar gola”, thotë Da Silva.

Tani pranon fare pak gola. Me Prishtina 01, në tetë ndeshje të stinorit vjeshtor ka pranuar po aq gola. Është më meritori për këtë. Mbrojtja e dytë më e mirë në Superligën e futsallit është ajo e Prishtinës, që ka pranuar plot 21 gola.

Prishtina 01 për 31-vjeçarin është skuadra e njëmbëdhjetë në karrierë. Ka luajtur me Afagu/Russas, Itaporanga FC, Cruzeiro assu, Eunapolis FC, Lagarto Futsal, Cabrobo FC, Verona EC, FC Benago, FC Feniks e AC Sparta Prague.

Është i lindur në Ceara Mirim, një qytet me shumë probleme ekonomike e me jetë të vështirë. Frikësohet për familjarët shumë, sidomos për gjyshen 78-vjeçare me të cilën jeton atje, por thotë se po ruhen shumë nga koronavirusi. E ka një vëlla, i cili kishte synuar të bëhej futbollist, por pa sukses. I vetmi i familjes është Cristiano që bën karrierë si profesionist, prej moshës 18-vjeçare.

“Të vija në Evropë e kam pasur ëndërr. Kam luajtur në shumë ekipe në Brazil. Në vitin 2015 u transferova në Benago të Çekisë e më pas në Kosovë te FC Feniksi. Pastaj shkova te Sparta Praga, e tani jam me Prishtinën 01”, thotë portieri brazilian që po ashtu përfaqëson Shqipërinë. Madje shquhet me shumë pritje.

Nuk i mungojnë as sukseset. Ka luajtur me Feniksin e Drenasit në “Elite Round” të Championsit, njësoj edhe me Sparta Pragën. Ai nuk e kishte pritur rikthimin në Kosovë, me sukses të menjëhershëm.

“Fitimi i Kupës ishte ndjenjë fantastike. Erdha këtu për ta kryer punën për të cilën jam përgjegjës. Kur fituam Kupën u ndjeva se e kam kryer punën shumë mirë. Pres të fitoj tituj edhe me këtë klub”, thotë Da Silva, që gjatë bisedës befasonte edhe me përgjigje në gjuhën shqipe.

“Planet e mia janë të qëndroj për shumë vjet në Kosovë, por asnjëherë nuk e dimë të ardhmen saktësisht. Ndonjëherë pranon oferta të mira dhe duhet të mendosh për karrierën”, përfundoi ai.

Braziliani thotë se nuk është e vështirë të jesh në rolin e portierit, por një sekondë pa vëmendje mund t’i kushtojë ekipit me humbje. Momente të tilla ai ka rrallë.

{gallery}