Sport

“Katër kërcimoret“, ngjarja e famshme e kërcimeve me ski

Gjatë çdo dhjetori dhe janari, shumë gjermanë rrinë para televizioneve të tyre duke parë meshkuj, dhe jo gra, që “fluturojnë” në qiell. Ata kënaqen duke shikuar kërcime me ski, ngjarjen Katër Kërcimoret, ose siç njihet në gjuhën gjermane “Vierschanzentournee”, shkruan DW.

Shpjegimi i rëndësisë së ngjarjes për ata që nuk janë të familjarizuar me kërcimin me ski, mund të jetë një sfidë, veçanërisht për të kuptuar pse nuk ka një garë të femrave. Por është si është.

Janë katër ngjarje të kërcimit me ski të shpërndara gjatë një jave e gjysmë në katër vende. Oberstdorf (28, 29 dhjetor) dhe Garmisch Partenkirchen (31 dhjetor, 1 janar) janë dy “kodrat” në Gjermani të përcjella nga Innsbruck (2, 3 janar) dhe Bischofshofen (5, 6 janar) në Austri.

Kërcyesi me më shumë pikë për stilin dhe distancën e kërcimit nga katër ngjarjet së bashku, bëhet kampion i “Katër Kërcimoreve”, garë kjo shumë interesante. Pauza e sezonit të futbollit gjerman në Bundesligë do të thotë që turneu merr vëmendje të shtuar, edhe pse 100 mijë tifozë që zakonisht paraqiten duhet të qëndrojnë në shtëpi këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Femrat që kërcejnë me ski nuk do të përfshihen në turneun e 69-të të “Katër Kërcimoreve”. Në shumë sporte të tjera ka barazi të meshkujve dhe femrave por te kjo garë e kërcimeve me ski kurrë nuk ka.

“Ne po luftojmë për këtë. Ne kemi arritur tashmë shumë në vitet e fundit”, tha fituesja e medaljes së argjendtë olimpike në kërcim me ski, Katharina Althaus. “Por, kjo po zgjat pak më shumë sesa kemi pritur. Unë nuk shoh ndonjë arsye pse të mos ketë gjithashtu një turne të ‘Katër Kërcimoreve’ për femrat”.

Ka pasur një sezon të Kupës Botërore të kërcimeve me ski për femrat që nga viti 2011 dhe ato kërcejnë në kodra përgjithësisht më të vogla se meshkujt, por duket se nuk ka ndonjë arsye kryesore që një variant i “Katër Kërcimoreve” për femrat të mos krijohet.

“Nga pikëpamja organizative, ndoshta nuk është shumë e lehtë për t'u zgjidhur, ka shumë përpjekje prapa këtij turneu. Do të duhej të kishte një koncept të mirë, por pse nuk duhet të ishte e mundur që ta kishim edhe një turne për femrat, nuk e kuptoj”, shtoi kampioni në fuqi i kërcimeve me ski, gjermani Karl Geiger që është rikuperuar nga koronavirusi për të garuar këtë vit.

Organi qeverisës botëror i skijimit, FIS, ende nuk ka dhënë një përgjigje për organizimin e një gare të ngjashme të kërcimit me ski për femrat. Edhe shpërblimet te femrat në sportin e skijimit janë më të ulëta se ato të meshkujve. Nëse i bëhet një vështrim i kalendarit të garave të Kupës së Botës këtë sezon, atëherë shihet qartë se skitaret që kërcejnë me ski kanë pasur një marrëveshje të përafërt.

Ngjarja e tyre e hapjes së sezonit në Lillehammer, Norvegji, në fillim të dhjetorit, u anulua për shkak të pandemisë COVID-19. Meshkujt kishin zhvilluar tashmë tri gara të Kupës së Botës. Femrat më në fund i zhvilluan garat në Ramsau në Austri në mes të dhjetorit, por tani duhet të presin deri në fund të janarit për t'u hedhur përsëri në Slloveni. Dy ngjarje të planifikuara për femrat në Japoni në fillim të janarit u shtyn për shkak të pandemisë. Në fakt, meshkujt do të kenë garuar në 11 ngjarje të Kupës së Botës, duke përfshirë këtu edhe “Katër Kërcimoret” deri në kohën kur femrat të kenë mbajtur dy ngjarje.

“Nuk po e kuptoj shtyrjen në ngjarjet tona për shkak të pandemisë derisa garat e meshkujve po mbahen”, shtoi Althaus.

Megjithatë, garat e kërcimeve me ski te meshkujt në nivelet e larta janë më të ndërlikuara sesa mendojnë të tjerët. Vetëm se dikush e fiton turneun ultra-prestigjioz “Katër Kërcimoret”, nuk do të thotë se ai është kampioni vjetor i Kampionatit Botëror të kërcimeve me ski. Ky turne formon një pjesë të orarit të Kupës Botërore që zhvillohet gjatë gjithë dimrit.

“Është një garë e ndërlikuar”, pranon Geigner.

Kështu që, shpesh ka një kampion të “Katër Kërcimoreve” dhe një kampion tjetër të Kupës së Botës, i cili ka dalë prej garave për muaj të tërë dhe jo për vetëm pak javë. Megjithatë, ndonjëherë është pikërisht kampioni i “Katër Kërcimoreve”, ai që mbahet mend më mirë dhe më shumë nga tifozët e pasionuar pas kërcimit me ski. Kjo është pa përmendur kampionatet botërore të dhjetorit për fluturimin qiellor, ku meshkujt hidhen nga një kodër më e madhe se zakonisht, ose kampionatet botërore të skive nordike të muajit shkurt që përfshijnë kampionatet botërore të kërcimit me ski, të cilat janë të ndara nga sezoni i Kupës së Botës të quajtur në mënyrë të ngjashme. Mbi të gjitha, kampionatet botërore do të jenë gjithashtu në Oberstdorf, aty ku nis turneu i “Katër Kërcimoreve”. Femrat që kërcejnë me ski do të jenë në ato kampionate botërore dhe gjithashtu do të garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në vitin 2022 në Pekin.

Këtë sezon ka edhe një Kupë Botërore të Kombinuar Nordike dhe gjithashtu kampionat botëror. Kombinimi nordik përbëhet nga skijimi malor dhe kërcimet me ski, gara këto të ndara. Progresi është duke u bërë por është i ngadaltë. Ndërsa tifozët e kërcimeve me ski në botën gjermane flasin të “tërbuar” nga emocionet për turneun “Katër Kërcimoret” nga divanet e tyre gjatë ditëve të ardhshme, ata duhet të kursejnë një mendim edhe për femrat që kërcejnë me ski, e që janë gjithashtu të ulura në shtëpi.