Borussia Moenchengladbachu humbi ndaj Realit në Madrid 0:2, të mërkurën mbrëma.
Dhe kjo humbje e vuri në rrezik kualifikimin e ekipit gjerman në 1\8 e finales të Ligës së Kampionëve.
Pas ndeshjes, lojtarët e Moenchengladbachut u tubuan dhe nisën të përcjellin direkt minutat e fundit të ndeshjes tjetër të Grupit B, ndërmjet Interit dhe Shakhtar Donetskut, që u zhvillua në Milano, nëpërmjet një tableti.
Me fitoren e cilitdo ekip në Milano, Moenchengladbachu do të eliminohej nga Liga e Kampionëve. Për fatin e skuadrës gjermane, ndeshja në “Giusueppe Meazza” u mbyll pa gola dhe Moenchengladbachu siguroi vendin e dytë në grup pas Realit.
Pas përfundimit të ndeshjes në Milano, festa e ekipit gjerman në Madrid ishte e madhe.
Reali dhe Moenchengladbachu do të vazhdojnë garën në Champions si dy të parat e grupit, kurse Shakhtari si i treti do të vazhdojë garimin në Ligën e Evropës.
Për ekipin gjerman kjo është hera e parë që e kalon fazën e grupeve në një garë evropianë që nga edicioni 1977-78.
“Të arrijmë kualifikimin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve prej një grupi të vështirë dhe me ekipe jashtëzakonisht të forta, është diçka fantastike. Ne ishim të fokusuar në lojën tonë, por nuk arritëm të bënim diçka më shumë përballë një Reali të motivuar. Megjithatë, ne gjatë tërë kohës kemi marrë informata nga ndeshja tjetër që luhej në Milano”, ka thënë kapiteni i Gladbachut, Lars Stindl.
Interi mbylli këtë cikël në vend të fundit dhe përfundoi garat evropiane për këtë stinor.