Sport

“Maradona i Kosovës”

Descriptive Text

 Kush është më i miri: Maradona, Pele, Messi apo Ronaldo? Sa herë që shtrohet kjo pyetje bëhet një debat i gjerë në lidhje me atë se kush mund të cilësohet si më i miri futbollist i të gjitha kohërave. Përgjigje nuk ka për këtë. Vlerësimet janë të ndryshme.

Bota e futbollit sheh shumë të përbashkëta mes dy argjentinasve, Maradonës e Messit, shkaku i fizikut, stilit të lojës dhe numrit që dikur e mbante Maradona, e tash e mban Messi.

Për të njëjtat arsye, edhe në Kosovë është veçuar një futbollist i gjeneratës së artë të Prishtinës së viteve ‘80. Bëhet fjalë për Fadil Muriqin.

Në kohën sa Muriqi luante për Prishtinën njihej si "Maradona i Kosovës". Muriqi, që është në fillim të viteve ‘60, pranon se nuk mund të krahasohet me atë që ka bërë idhulli i tij, Maradona. Ikona argjentinase vdiq të mërkurën pas një sulmi kardiak, në moshën 60-vjeçare. Maradona është varrosur të premten.

"Sigurisht për shkak të fizikut dhe për nga pamja më kanë cilësuar ashtu", tregohet modest Muriqi, gjatë një bisede telefonike për KOHËN.

Muriqi thotë se e ka mbajtur me mburrje mbi supet e veta epitetin si "Maradona i Kosovës".

"Kur krahasohesh me ndonjë yll botëror sigurisht që është kënaqësi, por mbi të gjitha edhe të shtohet përgjegjësia. Edhe mua publiku i Kosovës më ka pagëzuar me epitetin 'Maradona i Kosovës'. Ka qenë mburrje dhe më ka dhënë vullnet për ta dhënë maksimumin në fushë. Është e vështirë të jesh si ka qenë Maradona në fushë, por sigurisht se kanë parë të përbashkët tek unë dhe Maradona që më kanë dhënë atë epitet. E kam mbajtur me mburrje", thotë Muriqi, që jeton në Australi. Edhe sot kur kanë kaluar shumë vite qëkur e ka lënë futbollin, miqtë e thërrasin "Maradona".

Ashtu si e gjithë bota e futbollit që reagoi menjëherë me mesazhe ngushëllimi për vdekjen e Maradonës, njëjtë veproi edhe Muriqi. Ai, në profilin e tij në "Facebook", publikoi një foto me mesazhin "Lamtumirë mbreti i futbollit botëror i të gjitha kohërave. Lamtumirë idhulli im".

Mesazhin e ka publikuar me një fotografi të bërë para një fanelle të Argjentinës, me nënshkrim të Maradonës. Këtë fanellë e ka marrë si dhuratë për ditëlindje nga i biri.

"Është e nënshkruar para gjashtë vjetësh. E ruaj me fanatizëm në dhomën time. Djali ka arritur ta marrë nënshkrimin e Maradonës. Në mes të fanellës shihet nënshkrimi i tij. Do ta mbaj deri në fund të jetës si kujtim", ka thënë Muriqi, që famën si futbollist e arriti te Prishtina, për të cilën luajti nga viti 1979 deri në vitin 1989. Atëbotë, për një periudhë, Prishtina garonte në Ligën e parë të ish-shtetit federativ, Jugosllavisë.

Image

Muriqi, pos stilit të lojës dhe fizikut, ngjante me Maradonën edhe për kah mënyra se si i mbante flokët. Të dy kanë zhvilluar karrierën në kohë të njëjtë. Natyrisht, Maradona në nivele dukshëm më të larta.

"Ka qenë stili që mbahej, ndoshta ka pasur ndikim edhe se i mbante Maradona, por jo edhe aq tepër sa ka qenë stili i flokëve që mbahej atëkohë", është shprehur Muriqi.

Ish-mesfushorit të Prishtinës nuk i kujtohet saktë se në cilin vit legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona, kishte planifikuar ta vizitonte Australinë, saktësisht Melbournin. Thotë se mund të ketë qenë viti 1996. Por, Muriqi, që jeton në Melbourne, e mban mend mirë që kishte arritur ta siguronte një biletë me shpresë për ta parë nga afër idhullin e tij - Maradonën.

"E nxora biletën dhe mezi prisja datën kur Maradona paralajmëroi vizitë në Melbourne me kërkesë të publikut në Australi. E kam paguar, por për fat të keq Maradona anuloi udhëtimin për në Melbourne. Sa kujtoj diku kah viti 1996 ka qenë e paraparë", ka thënë legjenda e futbollit kosovar, i lindur në Pejë. "Padyshim që është dhe do të mbetet idhulli im. E kam përcjellë jetën e Maradonës në xhirime si 15-vjeçar në Boca Juniors, e më vonë 23 apo 24-vjeçar në Napoli. Për atë që ka treguar Maradona në fushë ka qenë kënaqësi ta shohësh. Ka qenë artist i futbollit, ndërsa jetën private nuk ia ka dëshiruar askush, por ajo që ka bërë në fushë ka qenë magji", ka theksuar Muriqi.

Muriqi, sa ishte te Prishtina, në fanellë mbante numrin dhjetë. Thotë se nuk e ka kërkuar ta mbante numrin, por ishte pozita në fushë që ia siguronte bartjen e numrit dhjetë, që në futboll ka peshë të madhe.

"Kam qenë si mesfushor prapa dy sulmuesve. Atëherë kanë qenë të ndarë numrat sipas pozitës ku ke luajtur. Kam luajtur prapa sulmuesve Batroviqit, të ndjerit Fadil Vokrri, apo edhe Kujtim Shalës dhe Ramiz Krasniqit, pavarësisht se kush luante. Ka qenë barrë e madhe për mua numri dhjetë, por në të njëjtën kohë edhe krenari", ka deklaruar Muriqi.

Ai thotë se Maradona do të përshtatej edhe me mënyrën që sot luhet në Evropë.

"Bisedohet gjithmonë për Pelen, Maradonën, Ronaldon, apo Messin. Por, për mua, Maradona ka mundur të luajë edhe më herët, por edhe në futbollin e tashëm. Ka qenë një lojtar me kualitete të nivelit të lartë botëror. Për mua është më i miri i gjitha kohërave", ka thënë Muriqi, që ka krijuar lidhje të ngushtë me Australinë. Por, ai nuk lë vit pa ardhur në Kosovë.

Muriqi, gjatë karrierës, pos Prishtinës ka luajtur edhe në Buduqnost, Rijekë, Sydney Victoria dhe disa skuadra të tjera australiane. Por, të arriturat më të mëdha mbeten si pjesë e Prishtinës.

"Planet i kisha që edhe këtë vit të jem në Kosovë, por fatkeqësisht ky vit ka qenë i vështirë, jo vetëm për mua, por për gjithë botën. Njerëzit kanë humbur edhe të afërmit e tyre shkaku i koronaviusit. Por, shpresoj që vitin tjetër të jemi pa virus dhe t'i kthehemi normalitetit", ka deklaruar Muriqi.

Image

Muriqi nuk lë pa kujtuar edhe periudhën e tij të artë te Prishtina. Thotë se mbi të gjitha kanë qenë shokë të vërtetë.

"Secili ka luajtur për njëri-tjetrin. Atmosfera ka qenë fantastike. Kemi pasur lojtarë me famë botërore te Prishtina, si Batroviqi, Shala, Vokrri, Celina, Cimili dhe më vonë të tjerët, para dhe pas nesh. Prishtina ka pasur rezultate të mira dhe ka qenë konkurrente e fuqishme e katërshes së madhe. Ka pasur probleme, por nuk na kanë penguar për të korrur suksese", ka thënë Muriqi, Maradona i Kosovës.

Image