Sport

Interi regjistron mbi 100 milionë euro humbje vjetore

Foto: Reuters

Interi ka regjistruar humbje vjetore prej 102.4 milionë euro që llogariten deri në fund të qershorit 2020.

Klubi ka lëshuar këto të dhëna gjatë një takimi të aksionarëve, që u mbajtë sot përmes një videokonference, transmeton KOHA.

Natyrisht, ndikim direkt në financa ka pasur pandemia dhe mbyllja e stadiumeve, duke çuar në zero të ardhura nga shitja e biletave.

Interi ishte njëri nga klubet e Serie A që kishte rimbursuar biletat sezonale për tifozët e vet.

Kjo nënkupton se të ardhurat pësuan rënie prej 45 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar.

“Në një situatë me rënie të konsiderueshme ekonomike, kemi qenë në gjendje të konsolidojmë planet e rritjes së Interit, që mbështeten në krijimin e një marke globale dhe bazohen rreth një vizioni inovator të biznesit, synimi kryesor i të cilës janë gjeneratat e reja”, ka thënë presidenti i klubit, Steven Zhang. “Përkushtimi ynë për të ardhmen është gjithmonë garantimi i qëndrueshmërisë së klubit dhe për të përmirësuar rezultatet në fushë”.