Sport

Ademi: Maradona i papërsëritshëm për magjinë që i dha futbollit

Foto: Koha

Në reagimet e shumta për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona, ka qenë edhe reagimi i Federatës së Futbollit të Kosovës që i ka dërguar telegram ngushëllimi Federatës së Futbollit të Argjentinës.

“I nderuar z. President Tapia. Ka qenë ndjenjë e humbjes së madhe kur dëgjuan për vdekjen e Diego Maratonas. Kapiteni i Argjentinës, kapiteni i zemrave të njerëzve. Një lojtar i përjetshëm dhe një njeri i jashtëzakonshëm! Diego ka ikur por do të përkujtohet përherë, do ta kemi me vete madhështinë e tij jo vetëm si lojtar i futbollit, por do ta kujtojmë po ashtu si model, pasi që ka qenë arsye që miliona njerëz kanë rënë në dashuri me lojën e futbollit. Maradona na ka dhuruar më shumë se futboll, na ka sjellë gëzim e kënaqësi. Në sfidat e ditëve të sotme dhe krizës, është shumë e rëndë të përballemi me një tjetër humbje. Nga Argjentina deri në Napoli, bota ka qenë me fat që ka parë një talent të tillë dhe për këtë, jo vetëm familja e tij, jo vetëm argjentinasit, por jemi të gjithë së bashku në këtë trishtim. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen e tij dhe me të gjithë futbolldashësit të cilët janë rritur duke i parë momentet e jashtëzakonshme të Maradonës”, shkruhet në telegramin e ngushëllimi të dërguar nga Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, për presidentin e Federatës së Futbollit të Argjentinës, Claudio Fabian Tapia.

Image