Sport

Besa kundër Boracit, Prishtina ndaj AEK-ut

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, në raundin e tretë të Kupës Evropiane do të përballet me Boracin e Banjallukës, kurse Prishtina me AEK-un e Greqisë. Shorti për këtë fazë të garave është tërhequr të mërkurën. Besa ndeshjen e parë do ta luajë në Pejë (12/13 dhjetor), kurse të kthimit një javë më vonë në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës. Skuadra pejane ka kaluar në këtë raund të garave, falë paraqitjes së mirë që pati ndaj ekipit tjetër boshnjak, Bosna Visoko. Besa i fitoi të dyja ndeshjet që u luajtën në Pejë. Besa Famgas ka pretendime për të shkuar përtej raundit të tretë të Kupës Evropiane. Ka disa vite që merr pjesë në garat evropiane. Ka përvojën e duhur për të synuar të paraqitet sa më shumë në garat e Evropës për klube. Hendbollisti Kastriot Jupa ka thënë se Boraci është kundërshtar i kalueshëm, por ka thënë se duhet dhënë maksimumin për ta arritur këtë.

“Boraci është një ekip i nivelit më të lartë se kundërshtarët që i kishim në raundin e dytë, Bosna Visoko. Ka një ekip shumë më të fortë dhe momentalisht janë në pozitën e dytë në Superligën e Bosnjës. Do të jetë një sprovë e madhe për neve, të shohim a kemi një ekip konkurrent për arenën ndërkombëtare. Sigurisht se është kundërshtar i kalueshëm dhe besoj që kemi mundësi të madhe dhe reale për kalim tutje”, ka thënë Jupa për KOHËN.

Ndërkohë, Prishtina raundin e dytë e ka kaluar pa lojë pasi skuadra bullgare Dobrudja hoqi dorë nga ndeshjet. Ndeshjen e parë me AEK-un, Prishtina do ta luajë në Athinë (12/13 dhjetor) kurse të kthimit pas një jave në Prishtinë. Te Prishtina pranojnë se AEK-u është favorit, por premtojnë maksimumin. Edhe Prishtinës nuk i mungon përvoja ndërkombëtare, por suksese nuk ka pasur. Trajneri Taib Kabashi shpreson edhe në fat kundër ekipit grek.

“AEK-u është kundërshtari më i fortë i mundshëm. Bëhet fjalë për ekip shumë të mirë, që ka në radhët e tij lojtarë nga Spanja, Kroacia, Serbia, Brazili dhe lojtarët më të mirë vendorë. Fati ynë është që lojën e parë e zhvillojmë në Greqi e të dytën në Prishtinë. Në sport asnjëherë nuk i dihet. Do të japim maksimumin, me të gjitha forcat që kemi”, ka thënë Kabashi.

Është vlerësuar se Prishtina nuk pati fat në short, pasi AEK-u në mesin e tyre ka plot lojtarë të huaj dhe vlerësohet prej skuadrave më të forta në këtë garë. Në vitin 2018 luajti në finale të Kupës sfiduese, kurse në gara evropiane paraqitet rregullisht.

F. P.