Sport

Gjilani dështon përballë Arbërisë, Drita barazon në shtëpi

Arbëria e Dobrajës i ka dhënë fund serisë së Gjilanit prej 12 ndeshjeve pa humbje. Skuadra e promovuar në Superligë të martën e mposhti Gjilanin në kuadër të xhiros së 14-të të elitës së Kosovës në futboll. Ndeshja e luajtur në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë, përfundoi 1:0 në të mirë të Arbërisë, që ishte vendase në këtë përballje. Golin e vetëm e shënoi sulmuesi Lutfi Bilalli (72’).

Me këtë triumf, Arbëria ngrihet në pozitën e gjashtë në tabelë me 17 pikë të mbledhura, derisa Gjilani mbetet i treti më 23 pikë. Për Arbërinë kjo ishte fitorja e dytë në shtatë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar edhe pesë humbje. Ndërsa për Gjilanin kjo është humbja e dytë këtë edicion pas asaj në xhiron e parë nga Feronikeli (4:0).

“Ndeshja ndaj Gjilanit ishte motiv shtesë për ne dhe jemi përkujdesur që t’i mbulojmë lojtarët kryesorë për të arritur deri te fitorja e merituar. Kjo fitore jam i bindur se do të na motivojë për ndeshjet e ardhshme, në të cilat pres paraqitje edhe më të mira”, ka thënë trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina.

Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka thënë se rastet e humbura në pjesëlojën e parë i kushtuan ekipit të tij me humbje. Në minutën e 33-të, Gjilani pati rast të mirë shënimi, por topi i goditur nga Keita Aziz qëlloi traversën.

“Ne patëm rastet tona në pjesën e parë, por duket se traversa na futi në vështirësi pasi po të shënonim gjërat do të ishin më të lehta. Duhet të ankohemi te vetja pasi nuk po arrijmë të krijojmë dhe të shënojmë. Kundërshtari tregoi dëshirë më të madhe se ne për të fituar”, tha Mezani.

Në ndeshjen tjetër të luajtur të martën, kampionia Drita barazoi 1:1 në shtëpi kundër skuadrës së Feronikelit. Madje, Feronikeli pati ankesa të shumta si gjatë ashtu edhe pas ndeshjes për një gol të anuluar në minutën e 75-të, e që dukej se nuk kishte të bënte me pozitë jashtë loje. Në fakt, prej asaj ndërprerjeje, Drita barazoi rezultatin nëpërmjet Almir Ajzerajt që shënoi gol nga afërsia pasi pranoi top në zonë nga Erjon Vucaj.

“Kundërshtari kishte ardhur për t’u mbrojtur dhe të provonte me kundërsulme. Në pjesën e parë nuk ishim efikas, por në të dytën ishim shumë më të mirë dhe kërkuam fitoren edhe pse mund të ishim ndëshkuar në fund nga pakujdesia. Futbollistët luajtën me shpirt, dhanë shumë, por nganjëherë nevojitet edhe fati për të fituar”, tha trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

Feronikeli kaloi në epërsi me anë të Mendurim Hotit (40’), që përfitoi nga topi i kthyer nga traversa, pas gjuajtjes së Besmir Bojkut. Feronikeli rastin më të mirë për fitore e lëshoi në minutën e tretë të kohës shtesë, kur braziliani Carioca qëlloi shtyllën dhe topin nga vija e portës e largoi Ardian Cuculi.

“Bëmë një super paraqitje, ashtu siç i ka hije Feronikelit, si një skuadër kampione të cilën duan ta kopjojnë të gjithë. Ndeshje shumë e mirë e zhvilluar taktikisht dhe me zemër. Unë e di që Drita është kampione dhe ka dëshirë të shpallet kampione, por sot e kuptoi që ka një skuadër përballë si Feronikeli, e cila është super kampione. Kemi merituar tri pikët, sepse na mungoi një penallti dhe një pozitë jashtë loje. Dritës i uroj suksese, por më mirë është të fitoj me djersë”, tha trajneri i Niklit, Klodian Duro.

Me këtë barazim, Drita mbetet e dyta në tabelë me 27 pikë të mbledhura derisa Feronikeli ka 16 pikë dhe zë vendin e shtatë.

Xhiroja e 14-të e Superligës do të vazhdojë të mërkurën dhe të enjten, kur do të zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera. Të mërkurën luhen ndeshjet Llapi – Prishtina e Trepça ’89 – Besa, derisa xhiroja mbyllet me duelin ndërmjet Drenicës dhe Ballkanit, të enjten. Të gjitha ndeshjet luhen prej orës 13:00.

Superliga – XIV

E martë (13:00)

Drita – Feronikeli 1:1

(Shënues: Ajzeraj 75’ – Hoti 40’)

Arbëria – Gjilani 1:0

(Shënues: Bilalli 72’)

E mërkurë (13:00)

Llapi – Prishtina

(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, B. Selimaj, E. Zasella)

Trepça ’89 – Besa

(Arbitra: I. Mehmeti, L. Muhadri, A. Ejupi, A. Halilaj)

E enjte

Drenica – Ballkani

(Arbitra: M. Bejtullahu, E. Bicaj, V. Kelmendi, V. Ibërdemaj)

Image