Sport

Italia e Belgjika u bashkohen Spanjës dhe Francës në “Final Four”

Përfaqësuesja e Belgjikës me fitore ndaj Danimarkës ka konfirmuar pozitën e parë në grupin e dytë të Ligës A të Ligës së Kombeve për t’u kualifikuar në “Final Four”, që zhvillohet vitin e ardhshëm. Në ndeshjen e luajtur të mërkurën mbrëma në shtëpi, Belgjika triumfoi 4:2 ndaj Danimarkës, së cilës i shkaktoi humbjen e dytë në gjashtë ndeshjet e luajtura të këtij edicioni në Ligën e Kombeve.

Youri Tielemans (3’), Romelu Lukaku (56’, 70’) e Kevin De Bruyne (88’) shënuan golat për Belgjikën që regjistroi fitoren e pestë. Me këtë fitore, Belgjika përfundoi e para në grup me 15 pikë, duke lënë pas vetes Danimarkën me dhjetë sosh. Për Danimarkën, golat i realizuan Jonas Wind (17’) dhe Nacer Chadli (86’) autogol. Dhjetë pikë sikurse Danimarka i ka tubuar edhe Anglia, që ka përfunduar e treta. Anglia në ndeshjen e fundit triumfoi bindshëm kundër Islandës me rezultatin 4:0. Për Islandën, kjo ishte humbja e gjashtë në po aq ndeshje të zhvilluara duke bërë që të mbetet e fundit në tabelë pa asnjë pikë.

Krahas Belgjikës, pozitën e parë në grup e ka konfirmuar edhe Italia, e cila mposhti në udhëtim Bosnjë-Hercegovinën me rezultatin 2:0. Andrea Belotti (22’) dhe Domenico Berardi (68’) siguruan fitoren e Italisë, që përfundoi e para në Grupin 1 të Ligës A me 12 pikë të mbledhura derisa Bosnjë-Hercegovina mbeti e fundit në grup me dy pikë. Italia arriti që këtë edicion të fazës grupore të Ligës së Kombeve ta mbyllë pa humbje, duke regjistruar tri fitore dhe tri barazime.

“E kemi ditur se do të jetë një ndeshje e vështirë por që është dashur ta fitojmë për ta mbajtur pozitën e parë në grup që të kualifikohemi tutje. Patëm një paraqitje shumë të mirë dhe treguam mentalitet fituesi. Shpresoj që të vazhdojmë me këto paraqitje edhe në ndeshjet tjera”, ka thënë Lorenzo Insigne, sulmuesi i krahut të Italisë.

Në këtë grup, Holanda doli e dyta pas triumfit që e arriti në udhëtim kundër Polonisë me rezultatin minimal 2:1. Të parët në epërsi kaluan polakët nëpërmjet Kamil Jozwiakut (6’), por Holanda u rikthye dhe siguroi fitoren me golat e Memphis Depayt (77’) nga penalltia dhe Georginio Wijnaldumit (84’). Italia së bashku me Belgjikën do t’i bashkohen Spanjës edhe Francës në “Final Fourin” e Ligës së Kombeve që do të zhvillohet në tetor të vitit të ardhshëm.

Image