Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Herolind Shala do të largohet nga skuadra e Valerengas në fund të këtij viti, kur edhe i skadon kontrata me ekipin elitar të Norvegjisë. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri i Valerengas, Dag-Eilev Fagremo për mediumet norvegjeze. Sipas tij, Shala para disa muajve ka njoftuar klubin se në fund të vitit do të largohet për të shikuar ndonjë mundësi jashtë Norvegjisë.
“Ne kemi folur me Herolindin në verë dhe ai sipas të gjitha gjasave do të kërkoj ekip tjetër dhe jashtë Norvegjisë, që mua më duket diçka shumë korrekte”, është shprehur Fagermo.
Shala 28-vjeçar, këtë edicion ka regjistruar 19 paraqitje në kampionat duke realizuar një gol dhe duke asistuar katër herë. Valerenga aktualisht zë vendin e katërt në tabelë me 42 pikë të mbledhura pas 23 ndeshjeve të zhvilluara në kampionat. Shala iu bashkua Valerengas në fillim të vitit të shkuar kurse karrierë ka bërë edhe te Starti, Lyngby, Sparta e Pragës, Kasimpasha, Slovani, Odds e Notodden. Shala prej vitit 2016 është pjesë e Kosovës dhe llogaritet prej lojtarëve kryesorë.