Sport

Rrugëtimi i veçantë i Dakut e Kqikut

Descriptive Text

U rritën në një rrugë të lagjes “Arbëria”, e njohur si “qenarqeshme”, e që ndodhet në Gjilan. Së bashku luajtën në lagje, si dhe në disa ekipe të futbollit kosovar, për t’u ndarë para tre vjetësh. Megjithatë, shoqëria e tyre vazhdon ende, madje, u bashkuan edhe te Kosova U-21, për të përfaqësuar me sukses vendin e tyre. Janë këta futbollistët nga Gjilani, Mirlind Daku dhe Edison Kqiku.

Daku luan te Ballkani i Suharekës dhe është futbollisti më në formë i Superligës, kurse Kqiku bart fanellën e Gjilanit.

Rrugëtimi i tyre i përbashkët në futboll u bë edhe më i njohur pas postimit të një fotografie në rrjetet sociale të Dakut, Kqikut dhe shokut të tyre, Eugenit.

Daku dhe Kqiku rrëfejnë për KOHËN domethënien e fotografisë, si dhe rëndësinë që ka vendi ku kanë lindur dhe janë rritur. Daku thotë se fotografinë e kanë bërë rastësisht.

“Ky vend është shumë i rëndësishëm pasi këtu i kemi kaluar çastet më të mira të fëmijërisë dhe është vend shumë i rëndësishëm për neve, posaçërisht ky vendi ku e kemi bërë fotografinë. Është vend ku e kemi pasur fatin ta bëjmë një foto rastësisht dhe pas disa vjetëve e kemi marrë si për qejf ta bëjmë prapë foton dhe vazhduam kështu deri këtu. Ushtrimet e para i kemi pasur në këtë rrugë. Pak ka ndryshuar pasi nuk është siç ka qenë, por përsëri i kemi ato kujtime”, tha Daku.

Ndërkaq, Edison Kqiku thekson se pavarësisht se fotoja është bërë pa planifikim, ëndrra për të luajtur për Kosovën ka ekzistuar.

“Ajo fotografi u bë rastësisht, por gjithmonë me atë ëndrrën që ne dikur do të luajmë bashkë për Kosovën ose me ndonjë klub dhe ka ardhur dita që ne kemi luajtur për Kosovën dhe e kemi bërë foton. Pas lojës e kemi parë foton dhe kemi thënë ja ku kemi mbërri bashkë. Kur kemi qenë fëmijë kemi biseduar për këtë temë dhe duke punuar, duke ushtruar, duke pasur sfida vazhdimisht kemi ardhur deri te ky moment që të luajmë për Kosovën. Ky vend ka rëndësi të madhe pasi sa herë që vij këtu më duket vetja ende si fëmijë. Kemi kaluar shumë momente të mira e të këqija këtu, kemi bërë shumë probleme. Unë Mirlindi dhe Eugeni kemi kujtime shumë të mira këtu”, deklaroi Kqiku.