Sport

Ajdini shpejt bëhet i rëndësishëm te Kosova U-21

Descriptive Text

Alban Ajdini ka bërë disa lëvizja në fushë gjatë karrierës. Ka nisur të luajë si mbrojtës, pastaj si mesfushor dhe tash si sulmues. Në të gjitha pozitat ka luajtur si lojtar i krahut në klubin që iu bashkua në moshën pesëvjeçare – Servette.

“Vetëm si portier nuk kam luajtur asnjëherë”, thotë buzagaz Ajdini, që me klubin elitar të Zvicrës, më 4 qershor, nënshkroi kontratën e parë profesionale, një muaj pasi i ishte bashkuar ekipit të parë. “Edhe si sulmues i qendrës kam luajtur”.

Si sulmues ka luajtur në tre vjetët e fundit. Edhe te Kosova gjatë këtij muaji Ajdini u paraqit si sulmues. Në fakt, Ajdini me të nënshkruar kontratën profesionale me ekipin e parë të Servettes mori ftesë ta përfaqësojë Kosovën U-21. Debutoi kundër Austrisë U-21 në humbjen 1:0 derisa shkëlqeu ndaj Andorrës, ndeshje që Kosova e fitoi 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ai asistoi për golin e vetëm të shënuar nga sulmuesi qendror, Mirlind Daku. Ajdini u është falënderues për pritjen e ngrohtë.

“Kam kaluar shumë mirë, të gjithë më kanë pritur mirë. Kushtet kanë qenë shumë të mira. Nuk na ka munguar asgjë dhe mezi pres të grumbullohem sërish me Kosovën. Kam bërë shoqëri të re me Mirlind Dakun, Eris Abedinin, Kreshnik Hajrizin, Arton Zekajn. Jam i lumtur që arritëm ta fitonim ndeshjen e dytë. Unë mundohem në çdo lojë ta jap më të mirën time”, ka thënë Ajdini.

Ajdini është në Zvicër i karantinuar pasi me t’u kthyer në shtetin “helvetik” ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Ai tregon se ftesa e Kosovës i ka shkuar menjëherë pas nënshkrimit të kontratës profesionale me Servetten.
“Më ka shkruar menaxheri i Kosovës U-21, Zgjim Sojeva, dhe ka biseduar me babanë tim. Edhe unë kam folur me familjen time për ta marrë vendimin që do të luaj për Kosovën”, ka treguar Ajdini.

21-vjeçari edhe më herët ka qenë në Kosovë. Ai ka qenë i grumbulluar për ekipin U-19 të Kosovës, që drejtohet nga Ramiz Krasniqi. Ka luajtur në një ndeshje miqësore kundër Prishtinës në vitin 2017.

“Më ka ftuar edhe një herë, por e kisha të pamundur të vija, sepse ishim në Barcelonë, në përgatitje”, është shprehur futbollisti nga Tërnoci.