Sport

Futbollistet e Kosovës kthehen të pamposhtura nga Turqia

 Ndonëse prej minutës së 35-të ka luajtur me një lojtare më pak, përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat), nuk është mposhtur nga Turqia.

Ndeshja e luajtur të premten mbrëma në Manavgat të Turqisë përfundoi pa gola, 0:0. Ishte kjo ndeshja e radhës e kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm. Kosova për herë të parë po luan në kualifikime për Evropian dhe deri më tani ka tubuar 10 pikë. Vlerësohet bilanc i kënaqshëm për shtatë ndeshjet e deritashme në grupin e vështirë, ku janë edhe Holanda, Rusia, Sllovenia e Estonia. Holanda, Rusia e Sllovenia vlerësohen nivel tjetër, por me Turqinë e Estoninë, Kosova ka marrë dhjetë pikë.

Fillimisht Kosova fitoi 2:0 ndaj Turqisë e më pas 2:1 ndaj Estonisë. Futbollistet e Kosovës e kanë mposhtur Estoninë edhe në Prishtinë, 2:0, ndërsa tani kanë barazuar me Turqinë në ndeshjen e dytë. Ndaj Sllovenisë e Rusisë, Kosova ka humbur thellë.

Të martën Kosova e pret Holandën në Prishtinë. Më 27 nëntor luan ndaj Rusisë në Turqi, kurse sërish me Holandën përballet më 1 dhjetor në udhëtim. Holanda është kampione në fuqi e Evropës dhe nënkampione në fuqi e botës.

Turqia ka kërkuar fitoren e parë në këto kualifikime, por pa sukses. Sidomos në pjesën e dytë lojtaret turke kanë sulmuar me ngulm, por portierja Florentina Kolgeci ishte në formë të lartë.

Të gjitha lojtaret në fakt kanë luftuar maksimalisht për të kompensuar mungesën e një futbollisteje në fushë, dhe për të mbajtur portën të paprekur. Mbrojtësja kryesore e Kosovës, Liridona Syla, u përjashtua në minutën e 35-të pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë.

“Ishte një ndeshje më e vështirë se që e kemi menduar. Fillimisht na vendosën në presion në tentim për t’u revanshuar për humbjen në fillim të kualifikimeve. Vajzat ranë në presion, filloi lojë e ashpër. Edhe numri i madh i kartonëve na vuri në presion. Kur u largua Syla, na janë vështirësuar shumë punët. Nuk kemi pasur shumë nga futbolli, por dhamë mesazhin që për përfaqësuese duhet të luftojmë deri në fund. Jam e kënaqur me një pikë. Ishim pa gjashtë lojtare që u paraqitën në ndeshjen e parë ndaj Turqisë”, ka thënë selektorja Afërdita Fazlija.

“Deri në minutën e fundit kemi luajtur me disiplinë. Kemi dhënë maksimumin dhe e kemi merituar një pikë. Më mirë barazim se të humbim ndeshjen”, ka thënë Erëleta Memeti.

“Ndeshje mjaft e vështirë, sidomos kur mbetëm me një lojtare më pak në fushë. Por me angazhim e disiplinë treguam që nuk jemi kundërshtar i lehtë. E bëmë të pamundurën për këtë barazim shumë të vlefshëm”, ka theksuar portierja Florentina Kolgeci.