Sport

Përballje prizrenase në gjysmëfinale

Plejmejkeri Musab Mala ka udhëhequr skuadrën e Bashkimit drejt fitores ndaj Pejës, në kuadër të çerekfinales së turneut të Superkupës së Kosovës në basketboll.

Bashkimi të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren triumfoi ndaj Pejës me shifrat 105:79, në kuadër të Grupit D. Me këtë fitore, Bashkimi është kualifikuar në gjysmëfinale të turneut të Superkupës, ku do të përballet me ekipin tjetër nga Prizreni, Ponte Prizreni, që në çerekfinalen e Grupit C ishte më i mirë se Golden Eagle Ylli (103:93).

Për 35 minuta, sa i kaloi në parket, Mala në këtë triumf të Bashkimit kontribuoi me 17 pikë e tetë asistime. Te Bashkimi, ndeshjen me pikë dyshifrore e mbyllën edhe tre basketbollistë të tjerë, ku më efikasi ishte Nikola Vukçeviq me 34 pikë të realizuara, i ndjekur nga qendra Shaq Carter me “double-double” prej 26 pikëve e 14 kërcimeve, derisa Sean Hoehn shtoi 18 pikë.

Edhe pse Peja u tregua ekip më i mirë në dy çerekët e parë dhe krijoi epërsi prej pesë pikëve (48:43), Bashkimi u rikthye në lojë dhe arriti ta fitojë ndeshjen. Te skuadra e Pejës, amerikani Robert Cartwright ishte më efikasi me 24 pikë, i përcjellë nga Drilon Hajrizi me 22 pikë e 14 kërcime. Dardan Berisha pati 11 pikë derisa përforcimi Sedin Karavdiq u ndal në dhjetë pikë e shtatë kërcime.

Gjysmëfinalja e Bashkimit me Ponte Prizrenin luhet të premten (sot) në Suharekë prej orës 19:30.

Ponte Prizreni në çerekfinalen e parë të luajtur në Prizren ka befasuar skuadrën e Golden Eagle Yllit, që konsiderohej favorite. Skuadra prizrenase gjatë tërë kohës ishte në epërsi ndaj Yllit që assesi nuk arriti ta ndalte dyshen kundërshtare: Art Hajdari – Ty Nichols që edhe ishin më të dalluarit. Hajdari ndeshjen e përfundoi me 27 pikë të shënuara, Nichols shtoi 25 sosh, kurse në këtë fitore kontribuuan edhe Josh Martin me 19 pikë e 17 kërcime dhe Justin Jones (17 pikë). Madje te Ponte Prizreni kanë paralajmëruar se synim e kanë triumfin në Superkupën e Kosovës, që për herë të parë po zhvillohet në format të turneut.

“E kemi dashur më shumë fitoren dhe gjatë tërë ndeshjes kemi luftuar si ekip. Treguam se jemi komponuar mirë, gjë që ndikoi dukshëm në triumfin tonë. Synimi ynë është që ta fitojmë Superkupën pasi mendojmë se mund t’ia dalim mbanë pas lojës së treguar me Yllin. Jemi të fokusuar dhe do të japim maksimumin për të arritur këtë qëllim”, u shpreh Hajdari.

Amerikani Cody John me 25 pikë të shënuara ishte më efikasi tek Ylli, i përcjellë nga Samir Zekiqi (19) dhe Valon Bunjaku (15). Të premten (sot), gjithashtu në Suharekë, do të zhvillohet edhe gjysmëfinalja tjetër, që nis në orën 17:00, e ku do të përballen Rahoveci dhe Sigal Prishtina. Ndërkohë, finalja e Superkupës së Kosovës është e paraparë të zhvillohet të dielën në palestrën “Karagaçi” të Pejës. Finalja e meshkujve do të luhet prej orës 17:00 derisa ajo e femrave nga ora 14:00, ku do të takohen skuadra e Bashkimit me Prishtinën.