Sport

Superderbi i Gjilanit nuk do ta ketë madhështinë e zakonshme

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Te Drita e te Gjilani janë të vendosur për ta fituar derbin e qytetit dhe përballjen më të madhe të sportit kosovar. Derbi që luhet të dielën, megjithatë, nuk do ta ketë shkëlqimin e zakonshëm. Do të luhet pa shikues, që i japin madhështi përballjes së dy skuadrave nga qyteti i Gjilanit.

Takimi i kampiones me nënkampionin, megjithatë, pritet të ofrojë emocion. Përballë njëra-tjetrës do të jenë dy prej skuadrave kryesore të Superligës, që kërkojnë titullin edhe këtë edicion, shkruan KOHA.

Drita e Gjilani kanë lojtarë cilësorë në përbërje dhe në fushën e blertë nuk pritet të mungojnë momentet e mira. Por, “zjarri” i zakonshëm, që e ka bërë këtë përballje derbin më të madh në vend, do të mungojë.

Lojtarët e të dy skuadrave në fushë do të dalin me të njëjtin synim – për ta fituar derbin dhe për ta marrë primatin në qytet, të paktën deri në derbin e ardhshëm.

Kryendeshja e xhiros së gjashtë luhet të dielën nga ora 13:30 me Dritën si vendase. Por, në stadiumin ku dy skuadrat i luajnë ndeshjet si vendas, këtë herë nuk ka peshë nikoqirllëku. Tifozët nuk do të jenë të pranishëm për t’u vendosur në tribunën kryesore, apo atë përballë.

Aktivitetet sportive në vend vazhdojnë të zhvillohen pa shikues, si pjesë e luftës ndaj përhapjes së COVID-19.

Drita, për shkak të garave evropiane, ka luajtur vetëm tri ndeshje në Superligë, të cilat i ka fituar. Renditet e dyta me 9 pikë. Ndërkohë Gjilani ka tetë pikë nga pesë ndeshje dhe renditet i katërti. Prin Ballkani me 16 pikë nga gjashtë ndeshje, kurse e treta është Arbëria me tetë pikë, po nga gjashtë ndeshje.