Sport

Muriqi pritet të jetë titullar ndaj Sampdorias

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, pritet të debutojë te skuadra e Lazios në fundjavë, kanë shkruar mediumet italiane të martën. Madje raportohet se gjasat janë të mëdha që Muriqi të jetë titullar te Lazio në ndeshjen kundër Sampdorias, në mungesë të sulmuesit Ciro Immobile që është i suspenduar.

Ndeshja mes Sampdorias dhe Lazios zhvillohet të shtunën (18:00) dhe i takon xhiros së katërt të Serie A. “Trajneri Simone Inzaghi po e përgatit ekipin për ndeshjen e radhës me Sampdorian dhe gjasat janë të mëdha që sulmuesi Vedat Muriqi të luaj prej minutës së parë për shkak se Ciro Immobile nuk është në dispozicion”, ka shkruar “Calciomercato”.

Muriqi 26-vjeçar, gjatë afatit kalimtar të verës u transferua te Lazio nga skuadra e Fenerbahçes për 18 milionë euro plus bonuset. Me ekipin italian ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2025. Muriqi javën e kaluar iu bashkua ekipit të ri në stërvitje pas rikuperimi nga lëndimi dhe tejkalimi i koronavirusit që e mbajti për dy javë në izolim. Skuadra e Lazios ka tubuar katër pikë pas tri ndeshjeve të zhvilluara këtë edicion në Serie A.