Sport

Dy kampionët e fundit takohen në Drenas

Descriptive Text

Te skuadra e Ballkanit besojnë se mund ta mbajnë pozitën aktuale në tabelë edhe pas xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në futboll, që zhvillohet këtë vikend. Ballkani aktualisht është lider i Superligës me dhjetë pikë të tubuara pas katër ndeshjeve të zhvilluara.

Ndeshjen e radhës Ballkani e luan në shtëpi kundër Drenicës, të dielën. Ballkani deri më tash nuk di për humbje dhe synon që të mbetet i pamposhtur edhe kundër ekipit nga Skenderaj, që në tri ndeshjet e fundit ka regjistruar një fitore dhe dy barazime. Madje, Drenica u ka nxjerrë pikë Feronikelit (2:2) dhe Gjilanit (0:0), transmeton KOHA.

Qendërmbrojtësi i Ballkanit, Arbër Prekazi, beson në rezultat pozitiv edhe ndaj Drenicës. Ai thotë se synimi i ekipit nga Suhareka është të vazhdojë me formën e mirë që e ka treguar këtë sezon. Madje, sipas tij, Ballkani këtë edicion synon ta mbyllë me trofe.

“Në përgjithësi si ekip po luajmë një lojë shumë më të pjekur dhe më të mirë se edicionin e fundit dhe jemi maksimalisht të motivuar për suksese këtë edicion. Ndeshjeve po u qasemi me seriozitetin më të madh dhe kështu do të jetë edhe ndaj Drenicës”, ka thënë Prekazi. “Drenica ka ekip shumë të mirë, por ne shpresojmë ta vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive dhe t’u afrohemi sa më shumë objektivave tona”.

Dueli mes Ballkanit dhe Drenicës luhet të dielën (sot) prej orës 15:00. Në fakt, të dielën zhvillohen edhe dy ndeshjet më interesante të kësaj xhiroje.

Prej orës 13:30 në Drenas, skuadra e Feronikelit e pret kampionen në fuqi, Dritën, në kryendeshjen e xhiros. Ndërsa në orën 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillohet dueli ndërmjet Prishtinës dhe Llapit.