Situata e sulmuesit Andi Zeqiri, i cili pritej të transferohej te Parma, ka ndryshuar tërësisht pasi ekipi nga Premier League, Brightoni po insiston për shërbimet e tij.
“Sky Sports” ka njoftuar të premten se drejtuesit e Brightonit tashmë kanë nisur negociatat me përfaqësuesit e Zeqirit dhe transferimi i tij te ekipi anglez është pranë finalizimit. Mësohet se Brightoni i ka ofruar Zeqirit pagë më të lartë se Parma, ekip që ishte pajtuar të paguante klauzolën e lirimit të tij te Lausanne prej tre milionë eurosh.
“Brightoni tani është favorit për transferimin e Zeqirit para Parmas për shkak të ofertës më të mirë. Brightoni ka nisur negociatat dhe ka gjasa të mëdha të transferojë Zeqirin”, ka shkruar “Sky Sports”. Zeqiri 21-vjeçar, ka kontratë më ekipin zviceran deri vitin tjetër kurse në edicionin e fundit ai ka realizuar 22 gola dhe ka asistuar dhjetë herë në 37 paraqitje.