Sport

Nuhiu për polakët: Ne dimë më shumë për Legian dhe kjo është përparësi

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka vlerësuar se skuadra e tij ka ndonjë përparësi ndaj Legias së Varshavës. Ai këtë vlerësim e ka dhënë në prag të ndeshjes që luhet në Poloni në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Nuhiu të martën për mediumet polake ka thënë se epërsia e Dritës është se e njeh Legian dhe është plotësisht e gatshme për këtë përballje. Madje Nuhiu ka thënë se Drita ka gjasa për të vazhduar aventurën evropiane për shkak se luhet vetëm një ndeshje.

Dueli mes Legias dhe Dritës do të zhvillohet të enjten në Varshavë, kurse Drita të mërkurën (sot) do të niset drejt kryeqytetit polak nga Tirana. Kampionia e Kosovës në mbrëmje do të mbajë seancën e fundit stërvitore para duelit me kampionen e Polonisë.

“Kosova po përparon shumë në futboll dhe ne si kampion kemi ambiciet tona në ndeshjen ndaj Legias, pra nuk do të dalim në fushë për të humbur. Po ashtu ne kemi një përparësi të vogël për shkak se e njohim më mirë Legian. Mbi të gjitha është vetëm një ndeshje dhe ne kemi gjasa, në të kundërtën po të ishin dy ndeshje atëherë gjasat do të ishin minimale. Në një ndeshje është gjithçka e mundur, përkundër që është vështirë”, ka thënë Nuhiu. “Ne i kemi shikuar disa ndeshje të Legias dhe mendoj se e njohim mjaft mirë pasi i kemi parasysh pikat e dobëta dhe të forta. Pra, kemi një plus për këtë ndeshje dhe besoj në një paraqitje të mirë”.

Te skuadra e Dritës të martën kanë konfirmuar se të gjithë futbollistët dhe pjesa tjetër e stafit kanë rezultuar negativë në testet për koronavirus. Ekipi gjilanas prej të shtunës është përgatitur në Durrës për duelin me Legian, ngjashëm sikurse për Sileksin, ekip të cilin e mposhti javën e shkuar në Maqedoninë e Veriut në kuadër të raundit të dytë kualifikues.

Për Dritën kjo është hera e parë që po paraqitet në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ekipi që triumfon në këtë ndeshje do të luajë në plejof kundër Qarabagut. Sipas Nuhiut, ky edhe është synimi i Dritës.

“Nëse krahasohemi me Legian, ne jemi klub i vogël por në Varshavë nuk do të udhëtojmë me këtë mendim. Ne kemi ëndrrën tonë dhe prej minutës së parë do të kërkojmë ta realizojmë, që është kualifikimi në raundin tjetër”, është shprehur Nuhiu. “Synimi ynë është shumë i thjeshtë, ta eliminojmë Leagian. Nuk e di nëse do ta arrijmë, por kjo është ëndrra e Dritës”, është shprehur ai.

Nuhiu ka folur edhe për ndërrimin e papritur të trajnerit të Legias. Të hënën klubi polak njoftoi se ka shkarkuar trajnerin serb Aleksandar Vukoviq për shkak të rezultateve të dobëta dhe e ka zëvendësuar me Czeslaw Michniewiczin. Nuhiu ka thënë se më shumë do ta kishte preferuar trajnerin Vukoviq. Ai ka shtuar se ndërrimi i trajnerit në ekip para ndeshjes mund të jetë ndihmë e madhe për futbollistët.

“Sinqerisht e kemi preferuar Vukoviqin të jetë në bankën e Legias, sepse ndërrimi i trajnerit mund t’u japë ekipit dhe lojtarëve freski. Ka shumë shembuj të tillë në Evropë dhe mendoj se ishim të pafat që ky ndërrim ndodhi pikërisht para ndeshjes me Dritën”, ka shtuar Nuhiu.

Ndërkohë trajneri i ri i Legias, sipas mediumeve polake, të martën ka mbajtur dy stërvitje të ndara në grupe. Në grupin e parë ai ka punuar me repartin defensiv derisa në të dytin me atë ofensiv. Tekniku polak ka paralajmëruar se nuk do të bëjë ndryshime të mëdha në ndeshjen kundër Dritës dhe ka thënë se, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund ta ndryshojë as lojën e ekipit të tij. Mirëpo ka shtuar se pret angazhim maksimal të futbollistëve për ta kualifikuar Legian në ndeshjen e plejofit.

“Nuk do të ketë kohë për të bërë ndryshime në formacion apo në lojë pasi është koha e shkurtër. Për mua është me rëndësi t’i njohë futbollistët prej të cilëve pres angazhim maksimal për shkak se është e rëndësishme që të kualifikohemi tutje. Kjo edhe do të ndihmonte që situata në klub të përmirësohej”, është shprehur Michniewicz.