Sport

Para ndeshjes me Dritën, Legia heq dorë nga trajneri serb

Kampionia e Polonisë, Legia e Varshavës nuk po kalon ditët më të mira në prag të përballjes me kampionen e Kosovës në futboll, Dritën.

Legia e Drita takohen të enjten në Varshavë në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Është hera e parë që një skuadër kosovare do të luajë në raundin e tretë kualifikues të kupave evropiane.

Derisa Drita është e fokusuar për ndeshjen e së enjtes dhe po vazhdon përgatitjet në Durrës, te Legia po ka zhvillime të shumta.

Legia të shtunën humbi 3:1 në shtëpi nga Gornik Zabrze dhe tani renditet në vend të shtatë në kampionatin polak me gjashtë pikë të mbledhura. Bilanci prej dy fitore e dy humbje është larg prej atij që synohet nga Legia.

Humbja e së shtunës i ka kushtuar me vend të punës trajnerit të deritashëm të Legias, serbit Aleksandar Vukoviq. Ai është shkarkuar të hënën në mungesë të rezultateve. Kjo vlerësohet dëshmi se për ndeshjen ndaj Dritës, Legia nuk do të jetë në momentin më të mirë të saj. Ndryshimi i trajnerit jo rrallë ndikon në lojën e skuadrës.

Në vendimin për Vukoviqin ka ndikuar shumë edhe humbja 2:0 nga Omonia qipriote në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Dhe pas humbjes në fundjavë, pronari i Legias, Dariusz Mioduski ka humbur durimin. Sipas mediave polake, Mioduski ka vlerësuar se është momenti i fundit për të shmangur eliminimin nga Drita.

“Humbja nga Drita do të ishte goditje e madhe për imazhin dhe katastrofë financiare për Legian”, ka shkruar “onet.pl”.

Vukoviq ishte në krye të Legias prej fillimit të prillit të vitit t ë kaluar. Trajner i përkohshëm i Legias ishte në disa raste. Në edicionin e kaluar e udhëhoqi Legian drejt titullit të kampionit të Polonisë.

Po të hënën Legia për trajner e ka emëruar polakun Czeslaw Michniewicz. Ai drejton edhe Poloninë U-21.

“Në këtë profesion ju duhet të jeni në gjendje të reagoni shpejtë, të nxirrni përfundime shpejtë. Kam qenë në këtë situatë në të kaluarën, kështu që nuk më frikëson. Më vjen mirë që jam në këtë vend dhe që do të kem mundësinë të punoj në Legia dhe të shkruajmë histori të re së bashku”, ka thënë Michniewicz në intervistën e parë për sajtin zyrtar të klubit.

Me gjithë telashet, Legia është favorite e madhe ndaj Dritës.