Sport

Zumberi te Wili, Maloku te Kriensi

Dy futbollistë shqiptarë të hënën i janë bashkuar kategorisë së dytë të Zvicrës. Lavdim Zumberi (20) ka kaluar nga Zuerichu i Superligës te Wili i kategorisë së dytë, ka njoftuar faqja zyrtare e kampionatit helvetik.

Zumberi është mesfushor, ndërsa i ka gjashtë paraqitje në Superligën e Zvicrës. Në edicionin e fundit e luajti një ndeshje kurse në edicionin 2018/19 i kishte pesë ndeshje. Më herët ka luajtur për të rinjtë e Zuerichut. Akademisë së këtij klubi i ishte bashkuar në vitin 2015 kurse katër vjet më vonë firmosi kontratën e parë profesionale. Me Wilin firmosi për dy vjet.

Ndërkohë Progon Maloku (20) i është bashkuar Kriensit. Sulmuesi ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2022. Maloku ka pasaportë të Gjermanisë, ndërsa ishte një kohë te të rinjtë e Bayernit. Është paraqitur edhe te të rinjtë e Lazios dhe së fundi në ekipin e dytë të klubit holandez, Heerenveen. Te Kriensi janë edhe Liridon Berisha, Liridon Mulaj, Burim Kukeli, Izer Aliu, Albin Sadrijaj.

Te Wili, Zumberi i gjenë Mërgim Brahimin, Bledian Krasniqin, Kastrijot Ndaun, Valon Fazliun e Argtim Ismailin. Ndau e Ismaili janë të lënduar dhe do të mungojnë për disa muaj.