Sport

Palestra në Istog do të përurohet me ndeshje të Kupës Evropiane

Me ndeshje të Kupës Evropiane në hendboll do të përurohet palestra në qytetin e Istogut.

Palestra e bukur në Istog do të përurohet më 17 tetor në ndeshjen e raundit të dytë të Kupës Evropiane në mes të Istogut dhe Vushtrrisë, shkruan Federata e Hendbollit të Kosovës.

"Istogu po shndërrohet në qendër me rëndësi për hendbollin kosovar, sidomos për atë të femrave. Me hapjen e palestrës, për të cilën istogasit kanë pritur gjatë, zhvillimi i hendbollit dhe sportit në përgjithësi në këtë qytet do të marr hov", thuhet nga FHK-ja. 

Trajneri i KHF Istogut, Faruk Shala, ka falënderuar ata që kanë kontribuar në hapjen e palestrës. Ka bërë të ditur se salla i plotëson kërkesat e EHF-së.

Kohë më parë është hapur edhe palestra në Samadrexhë, një qendër tjetër me rëndësi për hendbollin në vend. Edhe në të kaluarën, si për shembull në vitin 1979, palestrat në Kosovë janë hapur për aktivitete të hendbollit, përkatësisht për Botërorin e junioreve.