Ata kanë luajtur për jo më pak se 22 sezone, janë në të 40-t e tyre, mbajnë shiritin e kapitenit tek skuadrat ku aktivizohen dhe janë në formë të shkëlqyeshme.
Të dy kanë përjetuar një promovim pothuajse të dyfishtë apo njëpasnjëshëm nga Segunda Division B - niveli i tretë i futbollit spanjoll - në La Liga, elitën e futbollit të Spanjës. Dhe megjithëse ata menduan se i kishin përjetuar të gjitha më parë, fati duket se ua ka rezervuar më të mirën për në fund.
Kjo për shkak se sezoni i ri i La Ligës, i cili nisi vikendin e shkuar, jo vetëm që do të mburret me aftësitë e Lionel Messit edhe një herë, por edhe me ato të sulmuesit Nino të Elches dhe portierit Alberto Cifuentes të Cadizit. Nino 40-vjeçar, një sulmues dhe një nga golashënuesit më të mirë të divizionit të dytë të Spanjës, më në fund do të ketë mundësinë për të luajtur në elitë me fanellën e Elches, ekip që luftoi fort për të qenë pjesë e La Ligas në një sezon të trazuar, transmeton KOHA.
Sa i përket portierit të Cadizit, Cifuentes, ai do të ketë shansin të bëjë debutimin e tij në kategorinë më të mirë në moshën 41-vjeçare për një klub që po bën një kthim historik në këtë nivel, duke sjellë një gëzim të madh në një bazë të tifozëve - një nga më besnikët dhe më të egër të Spanjës - që ka duruar 15 vjet dhimbje zemre.
Nino prej 15 sezoneve në kategorinë e dytë të Spanjës, një dekadë e ka me fanellën e Elches, kurse edhe dy vjet të tjerë ka luajtur në kategorinë e tretë. Ai ka edhe pak përvojë në La Liga me fanellat e ekipeve si Levante, Tenerife dhe Osasuna, por që ishin të shkurtra. Ai është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kategorinë e dytë të Spanjës, me 242 gola të shënuar, prej të cilëve 132 i ka realizuar me fanellën e Elches.
Ndërkohë, Cifuentes ka qenë pjesë e Mallorcas në La Liga, por nuk e ka asnjë ndeshje të luajtur. 15 sezone ka luajtur në kategorinë e dytë dhe shtatë të tjerë në kategorinë e tretë të Spanjës.