Sulmuesi Festim Alidema shkëlqeu me fanellën e Llapit në sezonin 2019/2020 me 12 gola të realizuar.
Falë paraqitjeve të mira, ku doli golashënuesi i tretë më i mirë në kampionat, tërhoqi vëmendjen e menaxherëve të ndryshëm, që e transferuan në Kroaci te skuadra e Slaven Belupos në korrik të vitit të shkuar. Në fillim ishte pjesë e skuadrës së parë, ku luajti në pesë ndeshje si zëvendësues, duke pasur në total 88 minuta lojë në elitën e futbollit kroat.
Mirëpo Alidema karrierën do ta vazhdojë sërish aty ku edhe e nisi, në futbollin e Kosovës. 22-vjeçari u huazua te Drita nga Slaven Belupo për edicionin 2020/2021. Alidema për KOHËN insiston se do të rikthehet edhe më i fortë. Ai konfirmon se ka kontratë me klubin kroat edhe për dy vjet tjerë dhe synon të luajë në një ligë më të fortë sesa ajo e Kroacisë në të ardhmen.
“Unë jam lojtar i Slaven Beloupos, por i huazuar te Drita. Kam kontratë me Slaven Belupon deri në vitin 2022, me mundësi vazhdimi edhe për dy vjet të tjerë. Unë besoj se do të kthehem sërish në Kroaci, do të kthehem më i fortë si asnjëherë tjetër. Kam besim te vetja dhe me punë do ta dëshmoj këtë. Do të punoj shumë për të arritur atë që synoj. Ky do të jetë sezoni im më i mirë”, premtoi Alidema që shtoi se kur u transferua te Slaven Belupo është pritur shumë mirë dhe nuk ka hasur në asnjë problem.
“Në ekip jam pritur shumë mirë dhe nuk e kam pasur asnjë problem. Nuk e kam pasur problem as të qëndroj në Kroaci, pasi jam ambientuar dhe kam gjetur edhe shoqëri. Kam takuar shqiptarë atje dhe në asnjë moment nuk kam qenë vetëm”. Edhe pse nuk qëndroi më shumë se një vit te skuadra kroate, Alidema insiston se transferimi i tij në Kroaci ishte një hap dhe përvojë e jashtëzakonshme në karrierë, raporton KOHA.
“Normalisht që kalimi në Kroaci ka qenë një hap i madh për mua në karrierë. Kam mësuar shumë gjëra gjatë qëndrimit për një vit dhe kam fituar edhe përvojë. Te Slaven Belupo kam kaluar mirë. Në fillim ka qenë e vështirë, por me kohë jam mësuar dhe nuk kam pasur më probleme. Problem ishte të ambientohem, pasi nuk e kam ditur as gjuhën. Kanë kaluar 2-3 muaj derisa jam ambientuar në ekip, e më pas e kam pasur më të lehtë”, u shpreh Alidema.