Sport

FFK-ja publikon emrat e arbitrave, 89-shi në pritje të vendimit zyrtar për ndeshjen e sotme

Sot duhet të fillojë edicioni 2020/2021 në Superligën e Kosovës në futboll. Por ka shumë paqartësi për ndeshjet hapëse.

Në të vërtetë FFK-ja vetëm të premten ka publikuar orarin zyrtar të ndeshjeve dhe arbitrat që duhet t’i drejtojnë ato. Prej orës 16:00 duhet të luhet takimi Trepça ’89 – Arbëria, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Burime të KOHËS nga FFK-ja kanë bërë të ditur se Arbëria ka udhëtuar për në Mitrovicë, njëjtë si arbitrat dhe gjasat janë të mëdha që ndeshja të fillojë, edhe pa leje të institucioneve përkatëse të shtetit. Aktualisht në fuqi është vendimi i Qeverisë që aktivitetet sportive mos të zhvillohen për shkak të situatës me COVID-19.

Në klubin mitrovicas, Trepça ’89, kanë bërë përgatitjet për ndeshje, por po presin vendim.

“Pas të gjitha përgatitjeve për të filluar sot kampionatin e ri, ende po presim vendimin zyrtar për ndeshjen e sotme. Për shkak të gjendjes me pandemi, ndeshja zhvillohet pa praninë e shikuesve”, thuhet në një njoftim të 89-shit.

Image