Sport

Skuadrat e kanë mësuar orarin e ndeshjeve, por vendimi i Qeverisë i mban pezull

Skuadrat e kanë mësuar orarin e ndeshjeve, por vendimi i Qeverisë i mban pezull
Foto: Driton Paçarada / KOHA

Trepça ’89 i ka bërë të gjitha përgatitjet për ta pritur të premten (sot) në Mitrovicë skuadrën e promovuar në elitë, Arbërinë. Skuadra nga Mitrovica ua ka dhënë pushim futbollistëve të saj të enjten, ashtu siç praktikojnë klubet një ditë para ndeshjeve. Arbëria po ashtu është gati për udhëtimin e parë në Superligë.

Ndeshja Trepça ’89 - Arbëria është paraparë të jetë hapëse e edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll. Terminin e kësaj ndeshjeje dhe të tjerave, Federata e Futbollit e Kosovës bashkë me kompaninë që i ka fituar drejtat televizive, i ka caktuar të mërkurën. Por terminet e ndeshjeve nuk janë bërë publike në faqen zyrtare të FFK-së, që është në pritje të një vendimi nga Qeveria e Kosovës. Por vendim ende nuk ka, të paktën nuk ka pasur asgjë publike deri në orët e vona të së enjtes, raporton KOHA.