Sport

Trajneri i Sileksit e vlerëson të vështirë duelin me Dritën

Te nënkampioni i Maqedonisë së Veriut, Sileksi, vlerësojnë lart kampionen e Kosovës, Dritën, ekip me të cilin do të përballen në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës.

Trajneri i Sileksit, Goran Simov, ka insistuar se gjasat janë të barabarta, 50 me 50, në ndeshjen kundër Dritës. Simov e vlerëson Dritën ekip me përvojë, agresiv dhe me lojtarë cilësorë në përbërje.

Ndeshja mes Sileksit dhe Dritës do të zhvillohet të enjten në Shkup, kurse fituesi i saj në raundin e tretë eliminator do të luajë në Varshavë të Polonisë kundër skuadrës së Legias.

Trajneri i Sileksit, Simov, në një intervistë për KOHËN ka thënë se dëshira ekziston për të vazhduar garat në kupat evropiane, por pranoi se ekipin e tij e pret punë e vështirë.

“Natyrisht, dëshira është për të vazhduar tutje në Ligën e Evropës, por nuk do të jetë aspak lehtë, sepse përballë kemi një kundërshtar të fortë. Edhe Drita vjen për të fituar, të dy ekipet kemi përfitime nga kualifikimi. Fituesin e pret një ndeshje në Varshavë kundër Legias dhe, mbi të gjitha, një bonus financiar që do të jetë më se i mirëseardhur”, është shprehur Simov të martën. “Sipas meje, gjasat janë 50 me 50 ashtu siç ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, më parë”.

Simov ka thënë se e njeh Dritën pasi ka shikuar disa ndeshje të saj. Në veçanti ka njohuri për punën e trajnerit Ardian Nuhiu. Nuhiu e Simov ishin bashkëlojtarë te skuadra e Vardarit.

Nuhiu edicionin e fundit udhëhoqi Dritën drejt titullit të kampionit të Kosovës derisa Simov e vlerëson atë si trajner, por edhe si person.