Sport

Maxhuni pret të ketë sukses te Parnua e Estonisë

Basketbollisti kosovar, Edon Maxhuni, pranon se ka pasur pak hapësirë te klubi spanjoll, Gran Canaria. Kryesisht ka luajtur për ekipin e të rinjve të skuadrës spanjolle. Por, ai pret të ketë sukses te skuadra e re e Estonisë, Parnua.

Basketbollisti që luan për përfaqësuesen e Finlandës është transferuar te skuadra Parnu, që garon në elitën e basketbollit të Estonisë. Maxhuni 22-vjeçar ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi.

Përveç ligës vendore, klubi Parnu është pjesë e ligës baltike që zhvillohet ndërmjet Estonisë dhe Letonisë. Ai të martën për KOHËN ka zbuluar arsyen e transferimit tek estonezët, ndonëse thotë se ka pasur oferta edhe nga shtetet e tjera.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e skuadrës Parnu. Arsyeja pse kam vendosur të jem pjesë e këtij klubi është projekti serioz dhe ambiciet e klubit. Është një skuadër ideale për mua të zhvillohem edhe më shumë. Jam i kënaqur me kushtet e ofruara nga klubi”, u shpreh Maxhuni.

Ai ka theksuar se synimi kryesor në sezonin e ri është të bëjë sa më shumë paraqitje dhe ta ndihmojë ekipin drejt synimeve.

“Synimi kryesor është të arrij të luaj sa më shumë. Do të jap maksimumin në secilën stërvitje dhe ndeshje për klubin tim. Shpresoj që me paraqitjet e mija të arrij ta ndihmoj ekipin tim drejt synimeve”, potencoi ai.

Për basketbollistin kosovar interesim kishin shprehur edhe skuadra nga shtetet, si Gjermania, Polonia, Hungaria dhe Spanja. Por, Maxhuni insiston se kalimi në kampionatin estonez është një mundësi e mirë për zhvillimin e tij si basketbollist. Në këtë kampionat ai shpreson ta fitojë përvojën e duhur, që thotë se i ka munguar.