Ndeshja në mes kampiones së Kosovës, Dritës, dhe kampionit të Irlandës së Veriut, Linfieldit, nuk do të zhvillohet, ka njoftuar klubi gjilanas, derisa është konfirmuar edhe nga UEFA.
Vendimin për anulimin e ndeshjes e ka marrë UEFA me rekomandim të autoriteteve shëndetësore të Zvicrës, pas rastit të dytë të dalë me koronavirus brenda pak ditësh, raporton KOHA.
Në klubin e futbollit Drita nuk kanë dashur të flasin, me arsyetimin se nuk kanë çfarë të thonë më shumë se në njoftimin e postuar në Facebook.
Në njoftimin e UEFA-s thuhet se i tërë ekipi i Dritës do të jetë në karantinë, kurse vendimi për ndeshjen do të merret në ditët në vijim nga Komisioni Disiplinor.
FFK-ja ka kërkuar nga UEFA që kjo ndeshje të luhet në një termin dhe vend tjetër.
Në Aneksin i rregullores së Ligës së Kampionëve thuhet se nëse dalin më shumë raste pozitive dhe autoritetet shëndetësore të vendit të klubit apo nikoqirit kërkojnë karantinë të më shumë personave, atëherë mund të luhet me kusht që në mesin e 13 lojtarëve të jetë së paku një portier.
Por, nëse nuk është e mundur, atëherë mund të shtyhet, por të përfundohet brenda afatit përfundimtar e që është 14 gushti.
Mundësi është edhe ritestimi apo edhe paraqitja e lojtarëve tjerë që nuk janë në listë, por që janë të regjistruar në klub. E nëse edhe në këtë mënyrë nuk mund të ketë mundësi, atëherë skuadra që nuk luan humb me rezultatin zyrtar, 3:0.
Hamdi Namani është futbollisti i vetëm që të hënën mbrëma doli pozitiv në testin për koronavirus.
Në fakt, telashet për klubin e futbollit Drita nisën ende pa u nisur drejt Zvicrës.
Dritës i është dashur t’i bëjë ritestimet për 17 anëtarë, për t’u konfirmuar se nuk ka të prekur me COVID-19. Ndërsa, edhe një testimi për koronavirus Drita i është nënshtruar me të ateruar në Zvicër. Pak orë para se të niste ndeshja e parë ndaj Inter d’Escaldes, Fidan Gërbeshi doli pozitiv në testin për koronavirus dhe bashkë me të u izolua edhe Bujar Shabani.