Sport

Manchester City e Lyoni kalojnë në çerekfinale

Manchester City e përfundoi atë që e kishte nisur në shkurt në stadiumin “Bernabeu”, dhe me të njëjtin rezultat e mposhti Real Madridin edhe në “Etihad Stadium”, për t’u kualifikuar në çerekfinale të “Championsit”.

Ky është eliminimi i parë i trajnerit Zinedine Zidane nga Liga e Kampionëve, pasi e ka fituar këtë garë tri herë rresht.

Te Reali aspak në formë nuk ishte qendërmbrojtësi Raphael Varane, i cili ishte në presion dy herë dhe dy herë skuadra e tij u ndëshkua, raporton Sporti në KTV.

Madrilenëve padyshim se u mungoi në mbrojtje lideri Sergio Ramos, i cili u suspendua pasi u ndëshkua me të kuq në ndeshjen e parë.

Për Cityn realizuan Raheem Sterling dhe Gabriel Jesus, ndërsa Karim Benzema ishte realizator për Real Madridin.

Lyoni rezistoi pavarësisht dy golave të Cristiano Ronaldos, dhe e siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku do të luajë me Manchester Cityn. Për skuadrën e Lyonit, Memphis Depay ishte realizatori i vetëm i golit nga penalltia në minutën e 12-të.

Francezët kishin epërsi 1:0 nga dueli i parë i muajit shkurt.

Humbën 2:1, por Juventusi duhej të shënonte edhe një gol tjetër për të shkuar tutje.

Juve duhet të presë edhe një vit tjetër për ta fituar garën të cilës për herën e fundit i është gëzuar në vitin 1996.

Manchester City në çerekfinale do të luajë tani kundër Lyonit më 15 gusht, në Estadio Jose Alvalade.