Sport

Leverkuseni e Sevilla kalojnë në çerekfinale të Ligës së Evropës

Bayer Leverkuseni dhe Sevilla kanë prerë biletën për në çerekfinale të Ligës së Evropës pas fitoreve që i shënuan në ndeshjet e 1/8 së finales, të zhvilluara të enjten.

Skuadra nga Bundesliga, Leverkuseni triumfoi në shtëpi përballë Rangersit me rezultatin 1:0, që i mjaftoi për t’u kualifikuar në mesin e tetë skuadrave më të mira, pasi kishte triumfuar edhe në duelin e parë 3:1, të luajtur para pezullimit të garave për shkak të pandemisë.

Golin e vetëm në ndeshjen e kthimit për Leverkusenin e shënoi Moussa Diaby (51’).

Ndërkohë, Sevilla ka triumfuar ndaj Romës me rezultatin 2:0 në ndeshjen e vetme mes këtyre dy skuadrave që u zhvillua në Duisburg të Gjermanisë.

Golat për ekipin spanjoll i realizuan Sergio Regulion (22’) e Yousseff En-Nesyri (44).

Të mërkurën, kalimin në çerekfinale të Ligës së Evropës e konfirmuan edhe Interi, Manchester Unitedi, Shakhtar Donetsku e Copenhageni.

Ndeshjet e Ligës së Evropës prej çerekfinales deri në finalen e 21 gushtit, do të zhvillohen në formë të turneut në Gjermani, me vetëm nga një ndeshje.