Sport

Lampardi bën thirrje për trajtim korrekt për Chelsean e lodhur

Foto: Reuters

Trajneri Frank Lampard i ka bërë thirrje Premier Leagues që t’i japë Chelseat një start të ndershëm në sezonin 2020/21, duke insistuar se data e fillimit më 12 shtator është “shumë e hershme” për futbollistët e tij. Chelsea, të shtunën e shkuar, pësoi 2:1 në finale të FA Cup nga Arsenali, por për ekipin e Lampardit ende nuk ka përfunduar edicioni aktual – 2019/20.

Këtë të shtunë (8 gusht), skuadra e Chelseat do të përballet me Bayern Muenchenin në kuadër të Ligës së Kampionëve, garë që rifillon këtë javë pas një pauze prej gati pesë muajve shkaku i koronavirusit. Chelsea luan ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales me Bayernin pasi të parën e ka humbur me shifrat 3:0, shkruan AFP. 

Mirëpo, edhe nëse Chelsea eliminohet nga kjo garë, atëherë Lampardi do të ketë në dispozicion vetëm 35 ditë para se të fillojë sezoni i ri. Edhe Manchester City, gjithashtu, është i përfshirë në Ligën e Kampionëve, finalja e së cilës është caktuar të luhet më 23 gusht në Lisbonë. Ndërsa, Manchester Unitedi e Wolverhamptoni do të luajnë në Ligën e Evropës, garë e cila do të mbyllet me finalen që do të luhet në Koeln të Gjermanisë, më 21 gusht. Kuptohet qëkur klubet e Premier Leagues ranë dakord për 12 shtatorin si datë të fillimit për sezonin e ri, ishte gjithashtu e qartë se do të duhej të kishte të paktën një pushim 30-ditor për Chelsean dhe cilëndo nga skuadrat e tjera që luanin në garat evropiane të fundvitit. Lampardi i humbi lojtarët, si Willian e Ruben Loftus-Cheek në prag të finales së FA Cup, kurse Cesar Azpilicueta dhe Christian Pulishiq patën telashe me lëndimet gjatë ndeshjes.

"Edhe në një skenar të rastit më të keq, ne nuk kalojmë kundër Bayernit që ka një epërsi të konsiderueshme nga ndeshja e parë. Mirëpo, mendoj se data 12 shtator për fillimin e sezonit të ri është shumë herët. Mendoj se ata nuk mund të luajnë menjëherë për shkak se janë të lodhur”, është shprehur Lampardi. “Lojtarët kanë nevojë për pushim. Kjo është arsyeja pse ne kemi lojtarë të lënduar për shkak të tërheqjes së muskujve. Ndaj Bayernit do të kemi shumë mungesa”.