Sport

Viruset e futbollit

Ngjarjet në ndeshjen Gjilani – Prishtina përshkruajnë deri diku realitetin e futbollit kosovar. Kishte shumë gjëra në atë ndeshje të luajtur më 8 korrik, e që ndikoi direkt në garën për titull në Superligën e Kosovës.

U shënuan tre gola të bukur në atë sfidë, por që mbetën plotësisht në hije të zhvillimeve të tjera gjatë ndeshjes e pas saj. Gjilani fitoi 2:1 dhe mbeti edhe për një kohë në garë për titull, garë që në fund i takoi skuadrës tjetër nga i njëjti qytet, Dritës. Në atë derbi mes dy prej skuadrave kryesore në vend kishte tension, momente dhune, vendime të kontestuara të arbitrave, mospranim të zakonshëm të gjykimit…

Pas ndeshjes: tollovi, kërkim sqarimesh nga arbitrat, fyerje, përdorim i pakontrolluar i sprejit nga ana e policisë në drejtim të trajnerëve e lojtarëve mysafirë. Pasuan të tjera akuza, kërcënim me largim nga garat, deklarata jo të faktuara për marrje të parave. U përmend si krahasim edhe ndeshja e famshme në Beograd, u fyen federata e drejtuesit e saj, raporton KOHA

Asgjë e re në fakt në krahasim me edicionet e kaluara, në ndeshje të caktuara të kampionateve të kaluara.

Nuk kishte kurdisje në ndeshjen Gjilani – Prishtina.

Por të tilla kishte mjaft në fazën përfundimtare të edicionit, vlerësojnë njohës të futbollit kosovar. Madje, kishte edhe në xhiron e fundit, e që ishte vendimtare për dalje në Evropë dhe për mbetje në elitë.

Indirekt kurdisjet i pranojnë edhe drejtuesit e FFK-së. Por që ato të faktohen, duket e pamundur.

“Unë kam dyshime të mëdha për disa ndeshje. Por nuk kam fakte. Ato duhet t’i mbledhë Prokuroria”, thotë Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Salihu është shumë gjatë në futbollin kosovar. Pozitën e sekretarit e mban për gati një dekadë e gjysmë. Më parë ishte lojtar e trajner. Hallet e futbollit, Salihu i kupton shumë mirë.

“Ata që bëjnë akuza duhet të ofrojnë fakte. Por nuk guxojmë t’i mbyllim sytë. UEFA mund të na dënojë me ekspertët e saj dhe të turpërojë task-forcën që e ka bërë shteti së bashku me ne”, ka shtuar Salihu.

Dhuna e kurdisjet nuk shkojnë bashkë. Por bëhen bashkë për të pamundësuar zhvillimin më të hovshëm të futbollit kosovar.

Dhuna e kurdisjet janë prej viruseve të përhershëm të futbollit kosovar, viruse prej të cilëve Superliga dhe ligat e tjera nuk po ndahen dot. Këta “viruse” ishin prezentë fuqishëm, sipas njohësve, edhe në edicionin e zhvilluar gjatë pandemisë, në kohën kur virusi COVID-19 ndikoi në jetën e shumicës së njerëzve në Kosovë dhe në botë.

Sa i takon futbollit kosovar, COVID-19 ishte vetëm një prej viruseve në kohë pandemie.