Sport

Pasaportat klinike, zgjidhje për kthimin e mbështetësve në Premier League

Pasaportat klinike mund të jenë zgjidhja për t'i rikthyer tifozët në stadiumet e futbollit, insistoi të premten shefi ekzekutiv i Premier Leagues, Richard Masters. Masters thotë se duke kundërshtuar skeptikët për të rifilluar dhe sjellë sezonin në një kulm dhe përfundim të papritur - prapa dyerve të mbyllura - pas ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, hapi tjetër ishte për ta zgjidhur gjendjen e tifozëve.

Edicioni 2020/21 në Premier League dhe nivelet e ulëta të futbollit në Angli fillojnë më 12 shtator dhe Masters insiston se po ekzaminohet çdo zgjidhje e mundshme për t’ua dhënë tifozëve mundësinë që të rikthehen në tribuna për të shikuar përsëri ekipet e tyre të zemrës. Në fakt, ai është optimist i madh se ndeshjet e futbollit anglez do të zhvillohen me shikues në sezonin e ri. Me pasaporta klinike, secilit tifoz do t’i dihej gjendja e tij shëndetësore dhe Masters thotë se është një zgjidhje ideale.

“Ne jemi gjithashtu të gatshëm të shohim se si mund ta mbështesim zhvillimin e ‘pasaportave klinike’ - një sistem i bazuar në aplikacione, i cili shikon të gjitha simptomat dhe faktorët e tjerë kontribuues të COVID-19 - si dhe masave të tjera”, zbuloi Masters.

Masters shtoi gjithashtu se Premier League tashmë ka nisur diskutimet dhe po punon nga afër me këshilltarët lokalë për zgjidhjet e transportit dhe formimin e pasaportave klinike për të gjithë tifozët e klubeve elitare të Anglisë. Sipas tij, do të ndërmerren të gjitha masat e mundshme në mënyrë që kur të rikthehen tifozët të mos ketë rrezik nga përhapja eventuale e koronavirusit.

“Ne po shqyrtojmë të gjitha fushat e një dite të ndeshjes, nga zgjidhjet për biletat, konfigurimi i alokimit të ndarjes së vendeve në stadium dhe hyrjet në kohën e duhur, deri te kontrollet e temperaturave për të gjithë dhe një shërbim ushqimi dhe pije në vend për tifozët, shtoi Masters. “Ne do të punojmë me autoritetet lokale dhe klubet për të kërkuar zgjidhje për sfidat e transportit lokal, siç është futja e parkimit shtesë të makinave dhe hapësirave të sigurta të biçikletave si dhe zbatimi i skemave të parkimit dhe shëtitjes”.

Masters e konfirmoi se rikthimi i tifozëve në tribuna është jetik jo vetëm për ekipet e tyre në fushë, por edhe për një mori arsyesh të tjera që kanë të bëjnë me Premier Leaguen dhe ligat e tjera të Anglisë.