Sport

Vllaznia shkruan historinë, në Superligë pas fitores ndaj Ferizajt

Vllaznia e Pozhoranit për herë të parë në histori të klubit ka arritur që të hyjë në Superligë.

Këtë e bëri pas një ndeshje fantastike në “Riza Lushta” të Mitrovicës, duke e mposhtur në barazh Ferizajn, raporton Koha.net.

Ishin penaltitë ato që vendosën se kush do të jetë pjesë e Superligës në sezonin e ardhshëm, pasi rezultati pas vazhdimeve ishte 1 me 1.

Koha e rregullt kishte përfunduar 0-0, përderisa në minutën e 90+2 Ferizaj kishte mbetur me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Florent Papuqit.

Në vazhdime Vllaznia arriti të kalojë në epërsi në minutën e 97 përmes Liran Feratit i cili shënoi pas një asistimi të bukuar nga Ejup Bruti.

Ferizaj barazoi shifrat në minutën e 109, përkundër që kishte një lojtar më pak në fushë, përmes Enis Kukës, që shënoi nga afërsia.

Në penalti më i suksesshëm u tregua Vllaznia duke fituar 3 me 2 falë pritjeve fantastike të portierit Jasir Bajrami.