Sport

Kuba, vendi që nuk e njeh yllin e vet në Premier League

Është një mëngjes i zakonshëm i ditës së shtunë në Kubën qendrore, dhe në qytetin e përgjumur të Moronit, ku shoferët e taksive me motoçikleta kërkojnë hijen, një nënë me një fytyrë të butë ulet pranë sheshit kryesor me telefon në dorë.

Në njërin prej shteteve të fundit komuniste në botë, ku qasja në internet është skematike dhe e kufizuar, zonat me “WiFi” janë të dyfishuara nga banorët. Gruaja, pasi kishte futur fjalëkalimin 12-shifror në pjesën e pasme të kartës së saj të internetit që kushton një dollar, regjistrohet dhe e hap faqen e lajmeve në “Google” për ta shtypur emrin: “Onel Hernandez”, shkruan BBC.

Në këtë mënyrë e ëma e futbollistit të parë nga Kuba në Premier League e përcjell karrierën e birit të saj. Hernandez, 27-vjeçar, që luan si sulmues krahu është një krijues i historisë. Por, ky është një tregim që më shumë i kushtohet vendlindjes së tij dhe marrëdhënies kurioze të Kubës me futbollin sesa për vetë Hernandezin.

Moron është një qytet i njohur kryesisht si qendër transporti, një ndalesë për trenat e ndryshkur që lidhin Lindjen dhe Perëndimin e Kubës, transmeton KOHA.

Qyteti është shumë i nxehtë, por edhe i lagësht. Paga mesatare mujore në qytetin e Moronit është 777 pesos, ekuivalente me rreth 30 euro. Turistët që kanë luksin të shëtisin nëpër rrugë me vetura “Cadillac” ngjyrë të kuqe mund të qëndrojnë për drekë në një rrugë në drejtim të qytetit jugor Trinidad deri te kafenetë e parajsës në veri, por shumica e atyre që vizitojnë Moronin nuk qëndrojnë shumë. Edhe për Onal Lazaro Hernandez Mayean nuk ishte ndryshe. I lindur në qytetin Moron në vitin 1993, Hernandez u largua në moshën gjashtëvjeçare dhe është kthyer vetëm disa herë.

Nëna e tij, Yaneisy Mayea, u takua me një turist gjerman në mesin e viteve të ‘90-ta. Një vit më vonë ajo pranoi propozimin e tij për t’u martuar dhe për të emigruar në qytetin e vogël të Gjermanisë, Gutersloh, i cili është një orë larg me veturë në lindje të Dortmundit.

Ishte një vendim jo vetëm që ndryshoi jetën e një nëne 21-vjeçare përgjithmonë, por gjithashtu e vendosi të birin e saj në udhëtimin e jashtëzakonshëm nga Kuba për në Carrow Road – stadiumi i Norwich Cityt.

“Kur shkova në Gjermani, Oneli mbeti këtu”, thotë Yaneisy derisa qëndron brenda shtëpisë së saj modeste të gjyshes në Moron. “Ishte shumë vështirë ta lija këtu, natyrisht. Por babai i tij që duhej të firmoste një dokument, i cili më autorizonte ta dërgoja në Gjermani nuk pranoi një gjë të tillë assesi. Oneli qëndroi me nënën time për dy vjet përpara se babai i tij përfundimisht të pranonte të jepte lejen që ia mundësonte transferimin në Gjermani”.

Vështirësitë në Gjermani dhe transferimi në Angli

Hernandez i kaloi ato vite ndërhyrëse duke shijuar një fëmijëri të thjeshtë: duke shkuar në kopsht, duke zgjedhur mango të freskëta nga pemët e fqinjëve të tij, dhe duke luajtur në rrugë.

Kur erdhi koha për të lëvizur, ai qau gjatë gjithë rrugës për në aeroport, i hutuar dhe i pikëlluar që po linte shtëpinë e vetme që njihte.