Sport

FFK-ja paralajmëron gjyqtarët, mund t’ua marrë edhe stemat e FIFA-s

FFK-ja paralajmëron gjyqtarët, mund t’ua marrë edhe stemat e FIFA-s
Foto: Driton Paqarada

Pas rifillimit të garave në Superligën e Kosovës në futboll, arbitrat vazhdimisht janë në qendër të vëmendjes, por jo për të mirë. Llapi, Trepça ’89 dhe së fundmi Prishtina kanë hedhur kritika dhe akuza të rënda në drejtim të gjyqtarëve dhe organeve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), që i delegojnë ata. Lidhur me akuzat e shumta, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka paralajmëruar se gjyqtarët që bëjnë gabime do ta marrin dënimin e merituar dhe se nuk do të ketë më lëshime. Madje, ai insiston se atyre mund t’iu merren edhe stemat e FIFA-s, nëse vazhdojnë të gabojnë.

“Mendoj që duhet me iu thënë stop. Nuk na intereson UEFA e FIFA kur dëmtohet klubi në mënyrë substanciale. Duhet me largu, duhet me gjet formën. E kemi në plan që të konsultohemi edhe me FIFA-n, në mënyrë që të gjemë formën që ai gjyqtar që në mënyrë substanciale e dëmton një klub, të largohet për një kohë të gjatë dhe të marrë dënimin e merituar, përfshirë edhe heqjen e stemës së FIFA-s”.