Sport

SC Gjilani: Zyrtarët policorë përdorën sprej për të mbrojtur gjyqtarët

Klubi i futbollit SC Gjilani ka lëshuar një reagim në lidhje me ngjarjet që ndodhën të mërkurën mbrëma pas ndeshjes së xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës në mes të Gjilanit dhe Prishtinës.

Gjilani fitoi ndeshjen me rezultatin 2:1, ndërsa ndeshja ishte karakterizuar me tensione. Në përfundim të ndeshjes pas tollovisë së krijuar Policia e Kosovës përdori sprej, ndërsa disa anëtarë të Prishtinës kërkuan ndihmë mjekësore, përfshirë edhe trajneri Armend Dallku. Prishtina kërcënoi me largim nga garat.Te Prishtina kanë shprehur mllefin ndaj referimit. 

“Gjatë zhvillimit të ndeshjes ka pasur reagime të vazhdueshme nga banka e KF Prishtinës ndaj vendimeve të arbitrave të ndeshjes.Sidoqoftë ndeshja ka qenë e karakterizuar me lojë të fortë nga të dy ekipet. Me të përfunduar ndeshja, shumë lojtarë dhe anëtarë të stafit teknik janë vërsulur në drejtim të gjyqtarëve të cilët ishin marrë në mbrojte nga zyrtarët policorë të Njësisë Speciale ( të angazhuar nga FFK). Zyrtarët Policor kanë përdorur sprejin për të ndaluar sulmin ndaj gjyqtarëve.
Asnjë zyrtar apo lojtar i SC Gjilanit nuk ka qenë i përfshirë në këto incidente dhe ne si klub nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për ngjarjet e ndodhura me këtë rast. Gjithashtu vlen të theksohet se edhe zhveshtoret janë dëmtuar pas ndeshjes. Zyrtarët e SC Gjilanit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për qetësimin e situatës. Ky incident në asnjë mënyrë nuk është incident në mes të SC Gjilanit dhe KF Prishtinës. Në fund kur zyrtarët dhe lojtarët e KF Prishtinës janë nisur nga Stadiumi “Agim Ramadani-Katana”, ka ndodhur edhe një incident ku sipas informatave nga Policia e Kosovës, një zyrtarë i KF Dritës ka tentuar të sulmoj një zyrtarë të KF Prishtinës. Kjo ka ndodhur jashtë stadiumit. SC Gjilani i fton organet e FFK-së dhe organet tjera shtetërore që këtë ngjarje ta zbardhin deri në fund dhe akterët të marrin dënimet e merituara. Duam të theksojmë se ngjarjet në fund të takimit nuk e zbehin fitoren tone”, shkruhet në reagim të Gjilanit.

Nga Këshillimi Profesional i Gjyqtarëve është kërkuar që klubet t’i shmangin deklaratat kërcënuese ndaj gjyqtarëve dhe po ashtu gjyqtarëve u është kërkuar të jenë më vigjilentë e të mos lënë të ndikohen nga askush. KPGJ ka kërkuar deklaratat e gjyqtarëve dhe kontrollorëve të ndeshjes për të vepruar mëtutje me masat dhe ka analizuar xhirimet e ndeshjes.